Meliza Haradinaj, Gërvallës: Kosova nuk i ka borxh Palestinës, të ruhen marrëdhëniet me Izraelin

05 prill 2022 | 14:05

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, i ka reaguar kryediplomates kosovare, Donika Gërvalla-Schwarz, pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Palestinës, Al-Maliki, që është raportuar se u mbajt i fshehtë.

Këtë reagim, Haradinaj-Stublla e ka bërë me anë të një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, duke thënë se mostransparenca e ministres dëmton Kosovën dhe marrëdhëniet e Izraelit, të cilat ajo i quan të “pa konsoliduara mirë”.

“Mostransparenca e ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë, dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë për të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tone”, ka shkruar Haradinaj-Stubulla.

Postimi i plotë i Haradinaj-Stubullës:

Raportimi pas gati një muaji se MPJD – Donika Gërvalla Schwarz qenka takuar me ministrin e Jashtëm të autoriteteve palestineze Al-Maliki gjatë forumit të Antalyas, flet shumë për mungesën e konfidencës politike dhe pazotësisë diplomatike për të qëndruar fort me dy këmbë në tokë prapa qëndrimeve e interesave tona si shtet e si popull.

Mostransparenca e ministres rreth takimit të saj me ministrin palestinez e dëmton Kosovën, dëmton marrëdhënien e re me Izraelin ende pa u konsoliduar mirë, dëmton interesat afatgjate të Kosovës për të siguruar njohje të reja nga shtetet e Lindjes së Mesme, dhe ndihmon pozicionin e Serbisë për të forcuar ‘koalicionin ndërkombëtar’ kundër subjektivitetit të shtetit tonë.

Kosova përveç që ka punuar shumë për të ndërtuar marrëdhënie zyrtare diplomatike me shtetin e Izraelit, ka bërë përpjekje të mëdha për të zmbrapsur kampanjën ilegale të Serbisë për të penguar e dëmtuar njohjet ekzistuese dhe ato potenciale të Republikës së Kosovës. Këtu, me vite të tëra tashmë dihet se është ndihmuar shumë nga autoritetet palestineze, duke shfrytëzuar lidhjen e tyre të ngushtë historike me disa shtete të Lindjes së Mesme. Mos të harrojmë se kjo kampanjë kishte ndodhur ende pa vendosur Kosova marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe ende pa vendosur për hapjen e ambasadës në Jerusalem!

Prandaj Kosova nuk ka asnjë përgjegjësi morale ndaj Palestinës, dhe Ministrja nuk është dashur të ndihet në borxh duke e mbajtur larg publikut!

Ajo është dashur t’i rendisë qartë në takim dhe po ashtu menjëherë në njoftimin publik të gjitha argumentet e Kosovës, sepse jemi në të drejtën tonë që na takon si shtet sovran. Për më shumë, vendimi i Kosovës për hapjen e ambasadës në Jerusalem në mars 2021 në asnjë mënyrë nuk ishte vendim pro apo kundër Izraelit apo Palestinës.

Kosova thjeshtë ka përcjellë praktikën diplomatike të vendosjes së ambasadës aty ku shteti pritës e konsideron kryeqytet dhe seli administrative të qeverisë. Meqë sensitiviteti i kësaj teme ishte i lartë, jemi kujdesur që objekti i ambasadës sonë të jetë në pjesën perëndimore shumë afër ambasadës amerikane, dhe jo në pjesën lindore të qytetit që sipas Marrëveshjes së Oslos së vitit 1993 i takon Palestinës.

Heshtja e ministres sonë hodhi poshtë gjithë këtë mund, duke ia dhuruar terrenin diplomatik vetëm Palestinës dhe Serbisë për të amplifikuar mesazhet e interesit të tyre që bie ndesh me interesat shtetërore të Kosovës dhe duke vendosur Kosovën automatikisht në pozicion defanziv dhe të dëmshëm.

MPJD-ja duhet urgjentisht të sqarohet me një deklaratë publike në shqip dhe anglisht rreth takimit, temave, dhe pozicionit të Kosovës rreth asaj që ka deklaruar MPJD-ja e autoriteteve palestineze pas takimit me Kosovën, për të riparuar dëmin tashmë të shkaktuar me Shtetin mik të Izraelit.

Takimi me al-Malikin që Gërvalla e mbajti sekret, Palestina kërkon që Kosova ta heqë ambasadën nga Jerusalemi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka disa muaj që jeta e modeles së njohur, Angela…