Abbott për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE: Duhet punë e madhe, s’ka dhurata politike

07 prill 2022 | 08:23

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se vendi i tij e mirëpret dëshirën e Kosovës që të jetë pjesë e NATO-s, mirëpo ka shtuar se për të arritur deri atje duhet të punohet shumë dhe se anëtarësimi nuk mund të vijë në formë të një “dhurate politike”

“Kemi dëgjuar për anëtarësimin në NATO dhe BE. Ne të gjitha këto i mbështesim. Mbretëria e Bashkuar është shumë e qartë në këtë drejtim. Dëshiron që Kosova të jetë pjesë e NATO-s dhe nëse zgjedhë, të jetë edhe pjesë e BE-së. Por njëkohësisht janë disa procese që duhet të vazhdohen. Pra nuk është një dhuratë politike, duhet punë e madhe. Dhe anëtarësimi në NATO ka disa kuptime. Bisedat me qeverinë që kam pasur tregojnë se ata i kuptojnë këta gjëra. Puna që bëjmë me Ministrinë e Brendshme dhe FSK-në është duke pasur parasysh këtë tranzicion. Megjithatë jemi në një periudhë të prioriteteve tjera dhe sigurisht se do të ketë diskutime se ku qëndron Kosova në ato prioritete”, ka thënë ai në RTK.

Tutje ai ka thënë se NATO veçse është e pranishme në Kosovë me trupat e KFOR-it dhe se e di që lufta në Ukrainë ka rikthyer frikën edhe në Kosovë. Por që ai shton se Britania e Madhe nuk beson që ka rrezik të drejtpërdrejt në Kosovë.

“Është e qartë se duke pasur parasysh luftën në Ukrainë duhet të sjellim gjërat në perspektivë dhe duhet ta imagjinojë traumën për qytetarët kosovarë që besoj se është e vështirë. Vlen të përmendet se NATO është e pranishme në Kosovë. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për gjendjen e sigurisë në rajon. E di se bashkë me Komandantin e KFOR dhe trupat britanike që janë jemi në dijeni për kërcënimet dhe rreziqet e mundshme. Është e qartë se tensionet në Bosnjë janë të rrezikshme. Brishtësia në Mal të Zi është e pranishme. Ka një aspekt të kërcënimit në Kosovë. Por realitet është se rreziku nuk është aty. Ka pasur spekulime javëve të fundit se Kosova mund të shtyhet në një luftë por kjo nuk është e vërtetë dhe unë së bashku me Britaninë e Madhe nuk besojmë se ekziston një rrezik i drejtpërdrejt në Kosovë”

Abbott tha po ashtu se anëtarësimi në NATO nuk i lehtë për shkak se katër vende anëtare aty nuk e njohin Kosovën. Gjithsesi ai shtoi se ideja që Kosova të jetë pjesë e partneritetit për paqe është ambicja e duhur.

“Në aspektin e NATO-s duhet ta kemi parasysh që ka një numër të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Vendimi për t’u anëtarësuar në NATO nuk është vendim politik. ka disa procese që duhet trajtuar. Ka disa procese që duhet të vazhdojnë. Në bisedat e mija me ministritë përkatëse kam thënë se Kosova duhet të shohë çfarë duhet të bëjë dhe tani të veprojë. Ashtu sic ka thënë kryeministri në bisedën me CNN, ideja është që Kosova të jetë pjesë e partneritetit për paqe dhe pajtohem me këtë se është ambicja e duhur. Ajo që duhet të them është që ta plotësojmë këtë ambicie me gjëra që duhet bërë nga FSK-ja dhe Ministrja e Mbrojtjes dhe të gjithë të tjerët. Me këtë proces në të ardhmen mund ta sjellë tek vendimi politik”, përfundoi ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mohuar zërat se në…