Qeveria e Malit të Zi vendos sanksione ndaj Rusisë

08 prill 2022 | 15:48

Pas disa shtyrjeve, Qeveria e Malit të Zi ka miratuar më 8 prill sanksione kundër Rusisë, për shkak të sulmit të paprovokuar kundër Ukrainës.

“Sapo është miratuar një paketë masash kufizuese kundër Rusisë! Faleminderit të gjithë ministrave për bashkëpunimin!”, ka shkruar zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq në llogarinë e vet në “Twitter”.

Pas vendimit për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë, institucionet qeveritare duhet të ngrijnë pronat dhe burimet ekonomike të disa shtetasve dhe kompanive ruse në Mal të Zi dhe të ndalojnë punën e mediave qeveritare ruse.

Hapësira ajrore malazeze ishte e mbyllur më parë për avionët rusë, sepse vendimi formal i qeverisë nuk ishte i nevojshëm për atë vendim.

Për shkak të mungesës zyrtare të kryeministrit Zdravko Krivokapiq, seancën e së premtes e ka drejtuar Abazoviq.

Më 1 mars, Mali i Zi në mënyrë deklarative i është bashkuar sanksioneve të miratuara nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë, por qeveria e kryeministrit Zdravko Krivokapiq ka shmangur marrjen e një vendimi që ato të mund të zbatoheshin në praktikë.

Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq i është dhënë votë mosbesimi në fillim të shkurtit të këtij viti dhe deri më tani nuk është zgjedhur kryeministër i ri.

Brenda qeverisë janë dy rryma të kundërta në mandatin teknik, të drejtuara nga kryeministri Krivokapiq dhe zëvendëskryeministri Abazoviq.

Abazoviqi ka këmbëngulur që qeveria të miratojë një vendim për zbatimin e sanksioneve ndaj qytetarëve rusë që janë në listën e zezë të Bashkimit Evropian, derisa Krivokapiqi propozoi formimin e një “trupi koordinues për të monitoruar futjen dhe zbatimin e masave ndërkombëtare për kriza në Ukrainë”.

Në seancat e kaluara të qeverisë nuk ka pasur përkrahje të mjaftueshme nga ministrat për miratimin e ndonjë propozimi.

Ambasadorja amerikane në Mal të Zi, Judy Rising Reinke, e ka përgëzuar Qeverinë e Malit të Zi për marrjen e vendimit për sanksione.

“Bravo! E rëndësishme të shohësh që vendi aleat, Mali i Zi u është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian, të cilat janë të krijuara për të zvogëluar aftësitë e Rusisë që të financojë luftën e saj jonjerëzore dhe të paprovokuar ndaj popullsisë së Ukrainës”, ka shkruar ajo në llogarinë e vet në “Twitter”.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë vazhdimisht thirrje Malit të Zi që të zyrtarizojë sanksionet kundër Rusisë.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Mal të Zi ka njoftuar më 7 prill se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka marrë garanci nga kryeministri Krivokapiq se Mali i Zi do të miratonte sanksione.

Më 7 mars, Qeveria e Rusisë e ka përfshirë Malin e Zi në listën e vendeve të huaja që “kryen veprime armiqësore kundër Rusisë, personave juridikë dhe fizikë rusë”.

Lista përfshin edhe anëtarët e Bashkimit Evropian, përfshirë Slloveninë dhe Kroacinë, si dhe Shtetet e Bashkuara, Australinë, Britaninë e Madhe, Kanadanë dhe të tjerë.

Më 24 shkurt, presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar atë që e konsideron “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës. /REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka thënë se duhet të…