KPK-ja i reagon ashpër Adnan Rrustemit dhe Enver Hasanit

08 prill 2022 | 16:56

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka reaguar ndaj akuzave që janë thënë së fundmi lidhur me këtë institucion, pasi unanimisht kanë vendosur që emrin e Blerim Isufajt ta dërgojnë për dekretim si kryeprokuror i shtetit tek presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas tyre, gjuha që është përdorur së fundmi i “tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial”.

Në këtë mënyrë, KPK-ja i është kundërpërgjigjur ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi.

“Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), gjatë ditëve të fundit, është duke u atakuar në mënyrën më të ulët nga përfaqësuesit politikë, përfshirë këtu edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, individë që kanë kaluar dhe janë duke kaluar nëpër procedura penale dhe nga grupet e interesit, ku, sipas tyre, Këshilli Prokurorial dhe bartësit e funksioneve prokuroriale janë ‘grup dhe kokë kriminale’. Kjo gjuhë tejkalon të gjitha limitet e një gjuhë institucionale dhe shpërfaqë në mënyrë të qartë tendencat e hapura për rrënimin e sistemit prokurorial”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Më tutje, KPK-ja ka theksuar se nuk do ta tolerojnë përdorimin e kësaj gjuhe ndaj tyre.

“KPK-ja nuk do të tolerojë që të cenohet integriteti dhe reputacioni i anëtarëve të Këshillit Prokurorial dhe i bartësve të funksioneve prokuroriale. Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion i pavarur kushtetues, ua bënë të qartë të gjithëve, përfshirë edhe përfaqësuesve politikë, se nuk do t’u bindet interesave politike dhe atyre të grupeve të interesit, pavarësisht tendencave të tyre”, është thënë në reagimin e KPK-së.

Kujtojmë se Enver Hasani, dje e ka cilësuar Këshillin Prokurorial të Kosovës si grup kriminal për shkak se ka vendosur ta dërgojë për dekretim emrin e Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit.

“Për këtë grup njerëzish, në vitin 2015, i kam thënë gjërat që sot po i thonë ambasadat e huaja, pasi është në pyetje një grup, i cili supozohet ta mbrojë ligjin, por në fakt është kundër ligjit dhe është duke vepruar në kundërshtim me çdo normë kushtetuese, ligjore dhe etike. Është pikërisht ky grup që unë në vazhdimësi e kam cilësuar si grup kriminal. Veprimtaria e tyre është thirrur në transparencë dhe në publik e kanë bërë gjoja një paraqitje transparente të përzgjedhjes së kandidatëve, ndërkohë që ajo paraqitje shihet qartë që as rregullat e brendshme, të cilat vetë i kanë votuar, nuk i respektojnë. Këtu bëhet fjalë për cenim të çdo norme juridike”, ka thënë Hasani në “Klan Kosova”.

Ndërsa deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se shteti është ende i kapur.

“Pardje Rrahman Jashari në arsim dhe sot Blerim Isufaj në kryeprokurori e Agim Ademi në futboll tregojnë që ende është i kapur përbrenda shteti i Kosovës. Akoma kemi shumë punë që ndryshimi i madh popullor i 14 shkurtit 2021 të bëhet edhe demokratizim i shtetit tonë”, kishte shkruar ai në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester United ka prioritet për merkaton e verës të nënshkruaj…