Bazat amerikane në Gjermani dhe krahu lindor i NATO-s
Për opinionin publik në Gjermani lajmi erdhi papritur. Në buxhetin e qeverisë së SHBA për vitin 2023 janë caktuar 506 milionë dollarë për bazat ushtarake në Gjermani, në landin federal jugperëndimor të Rheinland-Pfalzit.
Mbi gjysmë miliardi dollarë do të investohen tani në bazat ushtarake amerikane në këtë land, Baumholder dhe Weilerbach.
Në atmosferën e luftës në Evropë, ky lajm u mirëprit nga shumë njerëz në Gjermani. SWR1, radioja kryesore publike e landit federal të Rheinland-Pfalzit, i hapi disa emisione radhazi lajmesh pikërisht me lajmin e investimeve amerikane. Ministri i Brendshëm i këtij landi, Roger Lewentz, deklaroi pas udhëtimit për këtë shkak në SHBA se “ky është projekti më i madh ushtarak jashtë SHBA.”
Për se do të përdoren mjetet? Me 207 milionë dollarë, në bazën e Baumholderit do të ndërtohet një seli e re për stacionimin e trupave shtesë amerikane. Veç kësaj do të ndërtohen edhe shtëpi dhe shkolla për amerikanët. Ndërsa 299 milionë dollarë do të përdoren për të ndërtuar një spital të ri amerikan në Weilersbach. Ndërtimi do të fillojë këtë vit, në tremujorin e tretë.
Investimet e reja ushtarake amerikane në Gjermani dhe shkaqet
Bazat ushtarake amerikane në Gjermani do të kenë një “rritje të jashtëzakonshme të rëndësisë” si qendra për krahun lindor të NATO-s. Ky është mesazhi që solli nga bisedimet në SHBA, ministri i Brendshëm i landit të Rheinland-Pfalzit, Lewenz.
SHBA kanë pasur gjithmonë shumë trupa të stacionuara në Evropë: jo vetëm në Gjermani, por edhe në Itali, në Spanjë, në Belgjikë dhe së fundi dhe në Poloni. Në Poloni shkuan shumica e ushtarëve amerikanë që erdhën së fundi në Evropë: 7.000 ushtarë të rinj amerikanë duke e çuar në mbi 10.500, numrin e ushtarëve amerikanë atje.
Një numër në rritje ushtarësh të NATO-s janë stacionuar veç Polonisë edhe në një sërë shtetesh lindore, si në Shtetet Baltike Lituani, Letoni dhe Estoni. Në këto shtete NATO ka grupe luftarake të gatshme, si pjesë të të ashtuquajturës “Prania e Përparuar e Përmirësuar e NATO-s”, që u krijua pas aneksimit të Krimesë.
Dislokimet më të reja të trupave të NATO-s janë në Rumani (3300 ushtarë), Sllovaki (2100 ushtarë), Bullgari (900 ushtarë amerikanë) dhe Hungari. Pas Polonisë, numër më të madh ushtarësh të NATO-s ka aktualisht Lituania (4000 ushtarë) dhe më pak Hungaria (800 ushtarë).
Njëkohësisht: SHBA mbështesin ndërtimin e bazave të NATO-s në shtetet e Lindjes të Evropës. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të SHBA, gjenerali Mike Milley u shpreh para Komisionit të Forcave të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve për ndërtimin e bazave të reja të NATO-s, p.sh. në Poloni apo në Shtetet Baltike. Por Milley propozoi që personeli i këtyre bazave të jetë me rotacion. Kështu do të kurseheshin shpenzimet për familjet dhe shkollat e ushtarëve amerikanë në shtetet lindore evropiane.
Gjermania – e rëndësishme si në “luftën e ftohtë” për amerikanët?