Syla: Insistimi i qytetarëve imponoi krijimin e fondit të sigurisë

14 prill 2022 | 12:01

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka vlerësuar se insistimi i vazhdueshëm i qytetarëve ka bërë të mundur themelimin e Fondit të Sigurisë nga Qeveria e Kosovës.

Syla ka thënë se deri tani një shumë e madhe është grumbulluar në këtë fond.

“Qeveria ka shtuar buxhetin e FSK-së mbi planin e paraparë për vitin 2021 dhe 2022. Megjithatë, sfidat e reja të sigurisë si dhe insistimi e vullneti i vazhdueshëm i qytetarëve tanë kanë imponuar krijimin e këtij fondi”

“Fondi i Sigurisë menaxhohet dhe mbikëqyret nga Ministria e Financave – Departamenti i Thesarit dhe sipas informacioneve të deritashme kemi një përgjigje për një shumë të madhe të qytetarëve që kanë deponuar mjetet e tyre financiare vullnetare në këtë fond”, ka thënë Syla për “Klan Kosova”.

Por, krijimi i këtij fondi sipas Sylës bën që FSK-ja të jetë edhe më e përgjegjshme në punë dhe angazhim.

“Kjo na bënë edhe më të përgjegjshëm për punë e angazhim edhe më të madh në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së për përmbushjen e plotë të detyrave kushtetuese dhe ligjore të saj”, ka thënë ai, duke treguar se si do të harxhohen paratë e mbledhura në këtë fond.

“Siç jeni të informuar edhe nga vendimi i Kryeministrit, Albin Kurti dhe deklarimet publike të Ministrit të Mbrojtjes, Armend Mehaj, këto mjete do të destinohen për zhvillimin dhe avancimin e institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit me fokus në zhvillimin dhe avancimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të FSK-së, duke filluar nga ato njerëzore, profesionale e specialistike, sistemeve të mbrojtjes në përputhje me strukturën organizative dhe funksionale të FSK-së”, është shprehur Syla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Barcelona kërkon sonte biletën për në gjysmëfinale të Ligës së…