Lladrovci: Bashkëndjejmë vuajtjet e ukrainasve

14 prill 2022 | 18:59

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka pritur sot përfaqësuesin e lartë të ushtrisë ukrainase, Nastenko, me të cilin ka diskutuar për gjendjen në të cilën ndodhet populli i këtij shteti në luftë, duke cekur se gjithë bota demokratike është me të drejtën e Ukrainës dhe qytetarëve të saj të jetojnë të lirë.

Lladrovci ka deklaruar se “Komuna e Drenasit, me mundësitë dhe kompetencat që ka, me solidaritetin e të gjithë qytetarëve, është në anën e popullit ukrainas me ndihma dhe përkrahje, ashtu siç ishin para më shumë se dy dekadave krah nesh e gjithë bota demokratike”.

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Sot, në komunë, prita përfaqësuesin e lartë të ushtrisë ukrainase në Kosovë, major Ivan Nastenko dhe mikun tim, Flori Zevin, ku diskutuam për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht populli ukrainas.

Situata e vështirë e popullit ukrainas nga sulmi i fuqishëm rus, ka prekur gjithë botën, në veçanti popujt të cilët kanë vuajtur të njëjtat tmerre, masakra, vrasje të civilëve, bllokada, urinë, etjen e deri te dhunimet dhe shkatërrimet në masë të tërë pasurisë së qytetarëve dhe shtetit. Aq më shumë kanë dhembshuri popujt që vuajtën nga regjimi i ngjashëm dhe makineria kriminale ushtarake.

Në takim, theksova se fitorja e popullit ukrainas përball agresionit rus do të jetë e pashmangshme. Popujt dhe shtetet liridashëse kanë shfaqur dhe po shfaqin solidaritet të plotë me gjendjen e rëndë në Ukrainë, ashtu edhe Republika e Kosovës.

Unë e sigurova z. Nastenko se do të bëjmë krejt çka është e mundur për qytetarët ukrainas nëse do të orientohen që të strehohen në komunën e Drenasit. Ata do të kenë kujdesin maksimal, përkujdesjen dhe përkrahjen pa rezervë të pushtetit lokal dhe solidaritetin qytetar, sikur çdo herë deri më tash, kur e kujtojmë gjendjen e popullit tonë gjatë luftës tonë çlirimtare.

Komuna e Drenasit, me mundësitë dhe kompetencat që ka, me solidaritetin e të gjithë qytetarëve, është në anën e popullit ukrainas me ndihma dhe përkrahje, ashtu siç ishin para më shumë se dy dekadave krah nesh e gjithë bota demokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
15.04.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…