Kampioni amerikan i ‘bodybuilding’ vdes në moshën 44 vjeçare

14 prill 2022 | 23:27

Kampioni amerikan i sportit të ‘bodybuilding’ Cedric McMillan ka vdekur në moshën 44 vjeçare, sipas raportimeve, prej problemeve me zemrën, komplikacioneve të Covid-19 dhe një aksidenti me biçikletë.

McMillan, ish-veteran i ushtrisë së SHBA, ishte bodybuilder profesionist dhe në vitin 2017 mori çmimin prestigjoz ‘Arnold Classic’.

Vdekja e tij u konfirmua nga sponsori ‘Black Skull USA’, por shkaku i sakte i vdekjes nuk është bërë publik.

Kjo është vdekja e tretë e një bodybuilder-i të njohur në SHBA në 12 muajt e fundit.

“Me keqardhje informojmë se miku dhe vëllai ynë @cedricmcmillan ka ndërruar jetë sot,” shkruante ‘Black Skull USA’ në rrjetet sociale. “Do të na marrë malli shumë për Cedric si një atlet, shok, mik e baba”.

Në një intervistë në nëntor 2021 me rrjetin Generation Iron, McMillan tha se “thuajse vdiq” nga problemet e zemrës që kishte kaluar në verë.

Që në fund të vitit 2020, ai nuk kishte arritur më të konkurronte prej problemeve me zemrën,  Covid-19 dhe një rrëzimi me biçikletë që kishte pësuar.

McMillan u bë ‘bodybuilder’ profesional në vitin 2009, dhe fitoi një seri kompeticionesh që kulminuan në vitin 2017 me çmimin Arnold Classic, i titulluar sipas aktorit ish-bodybuilder Arnold Schwarzenegger.

Tre ‘bodybuilder kanë vdekur vitin që kaloi në SHBA. Mes tyre ishte George Peterson 37 vjeç, i cili vdiq në tetor nga probleme me zemrën, dhe Shawn Rhoden që vdiq nga një atak kardiak në nëntor. /BBC/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në “opinion” ka zbuluar detaje…