Senatorët amerikanë kërkojnë nga Serbia të sanksionojë Rusinë

19 prill 2022 | 19:16

Senatorët amerikanë Chris Murphy, Jeanne Shaheen dhe Tom Tillis, thanë se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian.

Gjatë një konference për media në Beograd më 19 prill, ata theksuan se në këtë moment historik është e rëndësishme që të gjitha vendet demokratike në Evropë t’i dërgojnë një mesazh të qartë Rusisë dhe t’i kërkojnë llogari për veprimet e saj në Ukrainë.

Senatorja Jeanne Shaheen tha se në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë biseduar edhe për vendosjen e sanksioneve nga Serbia ndaj Rusisë, raporton Rel.

“Ne folëm për këtë dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë të flasim, mendoj se e kemi paraqitur qëndrimet tona”, tha senatorja.

Senatori Chris Murphy tha se ata i përcollën presidentit serb Vuçiq qëllimin e tyre për të ndërtuar një komunitet të vendeve demokratike që do të dënonte pushtimin rus të Ukrainës.

“Ne i kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Ne vazhdojmë ta mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe qëndrojmë pranë popullit të Serbisë në këtë proces. Ne erdhëm në Serbi për të forcuar marrëdhëniet e mira që vendi ka me Shtetet e Bashkuara”, tha Murphy.

Vizita e senatorëve amerikanë në Beograd vjen pasi presidenti i Serbisë, Vuçiq kishte deklaruar se Serbia ishte “nën presion të madh” që të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, vlerëson se Kosova ka nevojë…