Thaçi i pakënaqur me një vendim të gjyqtarit francez, ankohet në Apelin e Speciales

20 prill 2022 | 13:09

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është ndarë i pakënaqur me një vendim të gjyqtarit paraprak, Nicollas Guillou në Hagë.

Thaçi e ka dërguar në apel vendimin e gjyqtarit mbi kërkesën e Prokurorit të Specializuar për ndryshimin e listës së provave dhe autorizimin e masave mbrojtëse përkatëse, vendim ky që ishte marrë më 8 mars.

Me këtë rast, Thaçi i është drejtuar Apelit teksa presidentja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e ka caktuar një panel prej tre gjyqtarësh për t’u marrë me këtë rast.

Në përbërje të panelit janë gjyqtarët, Emilio Gatti, Michele Picard, dhe gjyqtarja Nina Jorgensen.

Avokati i Thaçit, Gregory Keohe, edhe më herët ka shprehur pakënaqësitë e tij për masat mbrojtëse.

Ai në një shkresë të mëhershme kishte thënë se Prokuroria po pretendon se ka marrë informacion nga një organizatë ndërkombëtare, e cila sipas prokurorisë ka shqetësime serioze për kontaktin e drejtpërdrejtë të mbrojtjes me stafin e saj aktual.

Ankesa e Keohes ka të bëj me faktin se ndonëse Prokuroria e ka përmendur në formë të përgjithshme këtë organizatë, ajo nuk e ka specifikuar se cila është ajo.

“Prokuroria gjithashtu pretendon se ‘ka marrë informacion nga një organizatë ndërkombëtare se ka shqetësime serioze në lidhje me kontaktin e drejtpërdrejtë të mbrojtjes me stafin e saj aktual ose të mëparshëm’. Prokuroria nuk e identifikon organizatën, duke i mohuar kështu Mbrojtjes mundësinë për t’u përgjigjur në mënyrë thelbësore. Mbrojtja rezervon të gjitha të drejtat për të bërë parashtresa nëse organizata ndërkombëtare kërkon ndonjë masë. Megjithatë, mbrojtja vë në dukje se asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka shprehur ndonjë shqetësim ndaj mbrojtjes në lidhje me kontaktet me stafin e saj aktual apo të mëparshëm”, ka thënë Keohe në shkresën e tij.

Avokati Keohe ka thënë se kësaj organizate ndërkombëtare nuk duhet t’i lejohet të vendosë kufizime në kontaktet me mbrojtjen, nëse të njëjtat kufizime nuk vendosen edhe në kontaktin me Prokurorinë.

“Për më tepër, mbrojtja parashtron se përpara se një organizate ndërkombëtare t’i lejohet të vendosë kufizime në kontaktet e Mbrojtjes me stafin e saj aktual ose të mëparshëm, organizata duhet të vërtetojë se ka vendosur kufizime të njëjta ose të ngjashme ndaj Prokurorisë. Neni 21 (4) (f) i ligjit dhe neni 6 (3) (d) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut i garantojnë të akuzuarit të drejtën ‘për pjesëmarrjen dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve në emër të financuesit të tij/saj të njëjtat kushte si dëshmitarët kundër tij apo saj’. Rrjedhimisht, z. Thaçi ka të drejtë të ketë qasje në stafin aktual dhe të mëparshëm të organizatës së pazbuluar ndërkombëtare me të njëjtat kushte si ato që i janë dhënë Prokurorisë gjatë intervistimit të dëshmitarëve të asaj organizate. Prokuroria nuk ka zbuluar kushtet në të cilat ka intervistuar dëshmitarët e organizatës së pazbuluar ndërkombëtare, apo nëse këto kushte ndryshojnë nga kushtet që organizata e pazbuluar mund të kërkojë të vendosë”, është thënë në shkresën e avokatit Keohe.

Avokati amerikan ka thënë se nëse Thaçit nuk i jepet qasja tek dëshmitarët e organizatës ndërkombëtare të pazbuluar nga prokuroria, atëherë mbrojtja rezervon të drejtën e saj që të përjashtojë çdo dëshmi të marrë nga organizata në fjalë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nuk ka Wimbledon për tenistët rusë dhe bjellorusë. Sipas “New…