Dyshimeve për keqpërdorim, s’u përgjigjen zyrtarët e Bibliotekës Kombëtare

22 prill 2022 | 13:22

Faton Dermaku

Ka një muaj kohë që redaksia e gazetës “Epoka e re” i ka dërguar Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” kërkesë për qasje në dokumente publike për lëndën “Botimi i materialeve për nevoja të BKK-së”, me numër të prokurimit 90900-21-9083-2-3-6, të publikuar në KRPP me datë 07.12.2021 dhe ende nuk i është lejuar qasja në këtë lëndë, për të cilën dyshohet se ka keqpërdorim.

Rastin për keqpërdorim të kësaj lënde në gazetën “Epoka e re” e kanë paraqitur operatorët ekonomikë të cilët për këtë lëndë i kanë dhënë ofertë Bibliotekës Kombëtare, por kontrata është nënshkruar me një operator tjetër ekonomik që ka ofruar çmim më të ulët. Por, operatorët ekonomikë konkurrentë janë ankuar se me rastin e shpalljes së kësaj lënde nga biblioteka për  “Botimin e materialeve për nevoja të BKK-së” në uebfaqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) është bërë mashtrim. Mashtrimi, sipas tyre, ka ndodhur me rastin e botimit të librit “Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”.

Për këtë libër zyra e prokurimit e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me rastin e publikimit të lëndës në KRPP, ka dhënë këto specifika për shtypin e librit “Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”: “Shtypi i librit Formati B5, faqe 465-490; Kopertina: shtypi me ngjyra (color) në letër konzdrukt Mat 350 gr. me platifikim Mat; Brendia: shtypi b/z në letër ‘shamoa’80 gr; Lidhja e fortë me qepje me penj; Shtypi i mbështjellësit të librit në konzdrukt Mat 160 gr. kolor dhe logoja e shtypur në “Termo shtyp” me ngjyrë ari; Lidhja e fortë me rikne harkore e cila mbanë harkun të fortë; Kapitali dhe shiriti ndarës”.

Gazeta “Epoka e re” ka siguruar një kopje elektronike të këtij libri, i cili është i madhësisë B5, mirëpo ka vetëm 399 faqe, që i bie se një ekzemplar ka 65-90 faqe më pak sesa paraqitet në shpalljen në KRPP, kurse në total, për 500 ekzemplarë sa ka qenë njoftimi për shtyp nga biblioteka, ka 32 500-45 000 faqe më pak.

Një operator ekonomik, i cili ka dashur të mbetet anonim, për gazetën “Epoka e re” është shprehur: “Po të jepte biblioteka informacion të saktë për botimin e atij libri, edhe për materialet e tjera, do të ofronim çmim edhe më të ulët sesa që ka ofruar operatori ekonomik me të cilin biblioteka e ka nënshkruar kontratën. Thjesht, jemi mashtruar dhe për këto raste zyrtarët e prokurimit dhe ata zyrtarë që i kanë përgatitur paramasat e lëndës duhet të japin përgjegjësi. Këtë lëndë duhet ta hetojnë krimet ekonomike. Ne në këtë rast shohim favorizim të operatorit fitues ekonomik”.

Pasi ka marrë këtë ankesë, gazeta “Epoka e re” ka kërkuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” qasje në dokumentet publike të saj dhe në Departamentin e Pasurimit, për të vërtetuar sa faqe ka libri “Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”. Një muaj më parë bibliotekës nga gazeta i është dërguar kjo letër: “Të nderuar, dosjen që na keni dërguar e kemi parë në shpalljen e KRPP-së që disa muaj. Ne nuk kemi shprehur interesim për këtë dosje, se nuk kemi pasur ndër mend të ofrojmë këtë shërbim për bibliotekë. Ne e kemi kërkuar dosjen e operatorit ekonomik që i është dhënë kontrata nga Biblioteka Kombëtare. Duam të dimë sa ka kushtuar shtypi ‘Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri’, sa ekzemplarë janë shtypur dhe ku janë ata ekzemplarë. Nuk po e gjejmë asnjë askund. Janë shtypur apo nuk janë shtypur? I është bërë pagesa për 500 ekzemplarë sa shkruan në dosje apo për sa? Na duhet fatura e operatorit ekonomik.

Ju bëjmë me dije se në javën e kaluar këtë libër e kemi kërkuar në Bibliotekën Kombëtare, tek informacioni. Nuk e kemi gjetur aty. E kemi kërkuar edhe në Departamentin e Pasurimit. S’e kemi gjetur as aty. Zyrtarët e kësaj zyre na kanë njoftuar se ende s’i keni dorëzuar ekzemplarët e obligueshëm ani pse aty i keni marrë cipin dhe barkodin për këtë libër. Dmth., vetë biblioteka nuk ka respektuar Ligjin për Veprimtari Botuese dhe Libër.

Më tutje, në dosjen që na keni dërguar dje, të cilën e kemi që disa muaj, i keni njoftuar operatorët ekonomikë se ‘Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri’ ka 465-490 faqe të formatit B5. I njëjti libër që kemi marrë në formatin pdf ka 399 faqe. Meqë këtë libër nuk po e gjejmë askund në treg, as në bibliotekën tuaj, kërkojmë nga ju ta shohim edhe kopjen fizike. Kemi pasur ankesa nga operatorët ekonomikë se Zyra e Prokurimit e Bibliotekës Kombëtare nuk ka dhënë përshkrime të sakta për këtë libër dhe për disa materiale të tjera të cilat i ka shtypur operatori ekonomik.

Ju lutemi, na dërgoni dosjen e nënshkruar me operatorin ekonomik dhe na lejoni qasje në Departamentin e Pasurimit për t’i parë të 500 ekzemplarët e librit për familjen Jashari që keni shtypur. Kërkojmë, gjithashtu, qasje në Departamentin e Pasurimit, të Katalogimit dhe të Informacionit konkretisht për botimin e këtij libri”.

Pas heshtjes së zyrtarëve të saj, gazeta “Epoka e re” tri javë më parë nëpërmjet telefonit ka kontaktuar me asistenten e drejtorit të bibliotekës, Fazli Gajraku, e cila ka thënë: “Kërkesën tuaj e kemi marrë. Veç kini durim dhe prisni”. Ende asnjë përgjigje tjetër prej saj.

“Libri i kujtesës: familja Jashari në dritën e betejës për liri”, i përgatitur dhe i botuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe i pajisur me cip dhe barkod po nga kjo bibliotekë, nuk gjendet as në Departamentin e Pasurimit, në të cilin një muaj më parë kemi qenë dhe e kemi kërkuar. Nuk gjendet as në uebaqen e Bibliotekës Kombëtare www.biblioteka-ks.org. Ky libër, edhe pse është promovuar më 28 nëntor 2021 në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nuk gjendet brenda këtij institucioni. Në ditën e përurimit të këtij libri, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku, i cili është edhe kryeredaktor i këtij libri, ka thënë se njëqind ekzemplarë të këtij libri do t’i dhurohen familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, por familjes së tij i është dhënë vetëm një ekzemplar. Pavarësisht prej përpjekjeve tona, për t’i parë 500 ekzemplarët që Biblioteka Kombëtare ia ka paguar operatorit ekonomik, nuk kemi gjetur asnjë ekzemplar në këtë objekt. Informacionet për shtypin e këtij libri biblioteka po i mban fshehtë.

Ndërkohë kemi marrë vesh se për këtë libër janë paralajmëruar edhe padi nga botues dhe gazetarë për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, e cila ka skanuar shkrime të gazetave dhe të artikujve të gazetarëve, të historianëve, të publicistëve pa marrë prej tyre të drejtën për botim ashtu siç parashihet në Ligjin nr. 04/l-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.

Gazeta “Epoka e re” do ta hulumtojë edhe më tutje këtë rast. Të hënën për këtë rast do t’i paraqitet Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Departamentit për Qasje në Dokumente Publike, e cila mund të marrë masa ndëshkuese për bibliotekën sipas Ligjit nr. 06/l-081 për Qasje në Dokumente Publike. Në nenin 27 të këtij ligji, në lëndën “Dispozitat ndëshkimore”, shkruhet: “1. Institucioni publik i cili në kundërshtim me dispozitat e këtij ligji, i pamundëson, pengon ose kufizon realizimin e të drejtave në qasje në dokumente publike dhe informata, dënohet me gjobë prej pesë mijë (5.000) deri dhjetë mijë (10.000) euro”. Në këtë ligj parashihen dënime edhe për personin përgjegjës të institucionit publik. Ndër të tjera, edhe për  personin fizik i cili e dëmton, e shkatërron, e fshehë ose në ndonjë tjetër mënyrë ose formë e bën të paqartë informatën. Gjithashtu, në javën e ardhshme do të kontaktojmë edhe me Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare dhe me zyrtarët e Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në Ministrinë e Kulturës.

Ligji nr. 06/l-081 për Qasje në Dokumente Publike, neni 27 , Dispozitat ndëshkimore

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekipi i Kosovës në boks është përfaqësuar nga dy boksierë…