![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2020/12/syla.png)
Syla për rastin e ambasadorit Berishaj: Tash po e di pse LV-ja po e refuzon Komisionin Hetimor
Mediat sllovene mbrëmë kanë raportuar për një skandal të madh financiar, në të cilin dyshohet se është i përfshirë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, me kompaninë e tij “MB Consulting”.
Vetë Berishaj është lajmëruar sot duke thënë se raportimi i mediumit slloven është shpifje dhe se për rastin do t’i drejtohet gjykatës.
Ndërkohë në Kosovë ka reagime të shumta.
Gazetari Valon Syla në një shkrim në profilin e tij ka ngritur pretendimet se kompania e Martin Berishajt është angazhuar nga kompania serbe “GEN” për këshilldhënie dhe përfaqësim për shitje të energjisë elektrike në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë.
Gjithë skandalin e publikuar dje, Syla e ka lidhur me zhvillimet në Kosovë, me shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe refuzimin e Lëvizjes Vetëvendosje për themelimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar të kërkuar nga opozita për atë se si qeveria e ka menaxhuar krizën energjetike.
“Kompania e Martin Berishajt, ‘MB Consulting’, kompani që e ka veç ni punëtor, d.m.th vet Martin Berishajn, u angazhu prej kompanisë serbe, ‘GEN’-i, për këshilldhënie dhe përfaqësim në shitjen me shumicë të rrymës në tregun e Kosovës dhe Shqipërisë. Tash pe dimë pse u shtrenjtu rryma kaq shumë dhe pse VV po refuzon themelimin e Komisionit Hetimor për energji. Po i vjen era e keqe. Pra rritja e çmimeve nuk ka lidhje veç me luftën në Ukraine, por edhe me krim që po duket i organizuar me shokë të Albinit në Qeverinë Kurti”, ka shkruar Syla në llogarinë në vet në “Facebook”.