Pjesa e parë ishte mjaft e mirë me duele të forta, por nuk pati konkretizime ngase asnjëra palë nuk arriti të rrezikojë portat rivale. Por, gjithsesi u tregua lojë cilësore dhe kjo pjesë u përmbyllë pa gola. Kaptinën e dytë të ndeshjes futbollistët tanë e nisën më gjallë dhe krijuan disa raste shënimi por pa sukses.

Edhe italianët sulmuan, madje në minutën e 53-të, po të mos ishte mbrojtja bravuroze e Gjokajt, Serra i Italisë do të shënonte. Në minutën e 73-të Arjol Bllaca e preku lehtë Malspinan, ndërsa gjyqtari Rob Hennessy tregoi në pikë e bardhë. Nga penalltia i saktë u tregua Alessandro Bolzano, duke ia siguruar fitoren Italisë, 1:0.

Djemtë tanë në këtë ndeshje luftuan me shpirt e zemër sepse e dëshiruan shumë fitoren, e mbase edhe kjo dëshirë e madhe ndikoi. Gjithsesi ata duhet të jenë të kënaqur me lojën e shfaqur dhe me karakterin e fortë përballë një ekipi shumë të fortë si Italia.

Me këtë fitore Italia e ka bërë një hap të madh drejt kualifikimit në Evropian, pasi ka 6 pikë pas dy ndeshjeve. Ndërkaq, ndeshjen e radhës dhe të fundit Kombëtarja janë U17 do ta zhvillojë më 26 prill kundër Polonisë.

Deklaroi pas ndeshjes:
Arsim Abazi, përzgjedhës
I përgëzoj djemtë për angazhim dhe karakterin që treguan në këtë ndeshje, në të cilën ne kishim më shumë nga loja. Ishte një ndeshje e fortë, ku futbollistë i zbatuan mirë detyrat dhe ishim afër barazimit për të mos thënë se kemi mundur të fitojmë. Na penalizoi një penallti, që pa dashur të ndërhyjë në ndarjen e drejtësisë, për mua ishte shumë e dyshimtë. Gjithsesi, ne, duhet të shkojmë tutje në ndeshjen tjetër.