Dajaku: Ky vendim thyen çdo ligj të shtetit të Kosovës

29 prill 2022 | 17:18

Për shkak të, siç thuhej, fyerjeve e shpifjeve ndaj Federatës së Futbollit të Kosovës, Komisioni Disiplinor i këtij institucioni largoi nga puna e dënoi tre zyrtarë të futbollit vendas.

Një ndër ta ishte edhe drejtori sportiv i skuadrës së Drenicës, Taulant Dajaku, i cili u gjobit me 200 euro dhe iu ndalua ta ushtronte detyrën e tij te skuadra nga Skenderaj për gjashtë muaj. Siç thuhej në vendimin e FFK-së, Dajaku kishte shpifur dhe fyer shtëpinë e futbollit të Kosovës, konkretisht në intervistën e dhënë në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.

Në arsyetimin e vendimit të marrë thuhet se ish-mesfushori nuk ka ofruar prova për t’i mbështetur deklarimet e bëra në televizion. Dajaku për “Lajmi.net” ka thënë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë shpifjeje ose fyerje ndaj FFK-së siç pretendohet në vendim. “Është lehtësisht e konstatueshme se çdo opinioni imi, në asnjë vend, s’ka asnjë fyerje, asnjë dezinformim dhe asgjë të dënueshme mbi bazat kushtetuese të këtij vendi. Krejt çka kam thënë është këndvështrimi im për gjërat që po ndodhin”, ka thënë Dajaku.

“Vendimi dhe arsyetimi janë krejtësisht të pabazë. Ky vendim tregon saktësisht se në çfarë gjendje është futbolli i Kosovës tashmë. Ky vendim thyen çdo ligj të këtij shteti pasi cenon të drejtën e individit për t’u shprehur lirshëm. Mbi të gjitha, po tentohet të indimidohen njerëz dhe të vendoset diktat në çdo gjë në futbollin e Kosovës”, ka shtuar ai.

Dajaku nuk paralajmëroi ankesë ndaj këtij vendimi, përkundër që, siç shprehet, është krejtësisht i pabazë. Njëjtë sikurse Dajaku pësoi edhe një tjetër drejtor sportiv. Bëhet fjalë për Valon Zymerin e Dritës që, po ashtu, u dënua me 200 euro dhe gjashtë muaj mospunë. Më së keqi nga të dënuarit e pësoi sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, që u largua nga puna për të njëjtat arsye.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmi me raketa i Rusisë që shënjestroi mbrëmë  Kievin la…