Dita Botërore e Lirisë së Shtypit dhe Mediet Lokale të Mitrovicës

04 maj 2022 | 01:38

Shkruan: Muharrem Vojvoda

3 maji shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Në këtë datë të gazetarëve në Kosovë u dhanë shumë deklarata përkrahëse, nga Ambasada Amerikane e deri nga Policia që thanë se mbështesin fuqishëm punën e gazetarëve.

Kur flitet për mediet dhe gazetarët në Kosovë, gjithmonë fokusi i përkrahjes është më shumë tek mediet nacionale dhe gazetarët që punojnë aty, nga televizionet e njohura e deri te portalet e njohura.

Ndërkohë mediet e vogëla dhe gazetarët e tyre që pak kush flet e pak kush i mbron, krahas vështirësive financiare përballen edhe me cënimin e sigurisë, pengesat e shumta gjatë kryerjes së detyrave e të tjera.

Pikërisht në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit gazetari nga “Jepi zë” Shkumbin Kajtazi nga Mitrovica ka kujtuar sulmin me 6 plumba ndaj veturës së tij që kishte ndodhur para 1 viti e 7 muaj,duke rikujtuar që për këtë sulm ndaj tij nuk ka as të arrestuar, madje as të dyshuar.

Pastaj mëngjesin e 17 janarit të këtij viti, unë u informova për një aksident të rëndë në mes të një veture zyrtare të policisë që ishte futur me shpejtësi në rrugën njëkahëshe duke u aksidentuar me një autobus në Shupkovc të Mitrovicës.

Me të arritur në vend të ngjarjes për të raportuar për portalin tim “Ditori”, pengohem në mënyrë shumë të pasjellshme nga shumica e zyrtarëve policorë që merreshin me rastin dhe që në vendngjarje nuk kishin vendosur as perimetrin, duke mos më lejuar të marr pamje dhe duke kërkuar nga unë të largohem në një distancë tepër të largët.

Për aksidentin në fjalë, më vonë mësohet se zyrtarët policorë ishin në veturë me dy vajza të dehura, të cilat kishin kërkuar nga policia t’i dërgojnë në spital, ku njëra nga to ishte shtirur si i vdekur. Këtë rast policia e kishte mbyllur duke mos dhënë më sqarime.

Kontributi i medieve lokale(Mitropol,Jepi Zë, Ditori, Veriu etj) është shumë më i madh se kërcënimet, pengesat e ofendimet dhe nuk do të ndalet asnjëhere, nga kontributi për rregullimin e një lagjeje të vogël, ndërrimin e pushteteve lokale e deri në kontributin për shërimin e shpëtimin e shumë jetërave të njerëzve.

Mediet lokale, sidomos ato të Mitrovicës që në masë të madhe ua kanë lehtësuar punën edhe medieve nacionale me raportimet e tyre nga vendi i ngjarjes, para se të sulmohen me plumba, para se të kërcënohen e pengohen, t’u hidhet një sy kontributit madhor të tyre për Mitrovicën, pavarësisht problemeve financiare që kanë, që tash e disa vite nuk u ndalën asnjë ditë të vetme që qytetari i Mitrovicës të jetë sa më i informuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga ora 10:00 e mëngjesit të së hënës, Hajrije Ferizi,…