S’mund të ketë marrëveshje të re me qëndrime të vjetra

05 maj 2022 | 08:05

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për RTK-në pas takimit që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në periferi të Berlinit, të ndërmjetësuar nga emisari sllovak, Miroslav Lajçak, e të iniciuar nga shefi i Qeverisë së Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kurti ka thënë se qëndrimet e Vuçiqit janë të vjetra, se presidenti serb nuk distancohet as nga Millosheviqi e as nga Vladimir Putin e, pos këtyre, kryeministri Kurti ka thënë se Vuçiqi ka edhe sjellje të çrregullta.

“Qëndrimet e fqinjit tonë verior janë të vjetra. Unë normalisht që kërkova marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që normalizon raportet e që e ka njohjen reciproke në qendër, mirëpo në këtë aspekt s’ka përparim. S’ka distancim nga Millosheviqi, s’ka distancim nga Putini e, përveç qëndrimeve të vjetra, ka edhe çrregullime në sjellje do të thosha”, ka thënë Kurti për RTK-në.

I pyetur rreth mundësisë së një takimi tjetër me Vuçiqin në Bruksel, Kurti ka thënë se ai varet nga ajo se si do të shkojnë diskutimet në takimin e kryenegociatorëve, Bislimit e Petkoviçit.

“Mund të ketë takim, varësisht se si shkojnë negociatat më 13 maj”, tha Kurti.

Kurti shtoi se qëndrimet janë të vjetra dhe si rezultat s’mund të ketë marrëveshje të re me qëndrime të vjetra.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se edhe faktori ndërkombëtar e ka kuptuar që Serbia duhet të ndryshojë që të ketë një marrëveshje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Merrni tregun e Vuhanit në Kinë, një shkaktar i mundshëm…