Konjufca takohet me presidentin e Malit të Zi

18 maj 2022 | 14:23

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, ka pritur të mërkurën në takim presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq me bashkëpunëtorë, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në shtetin tonë.

Në këtë takim është diskutuar për aktualitetin politik, zhvillimet në rajon, agresionin rus në Ukrainë, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror dhe shtimin e intensitetit të aktiviteteve ndërparparlamentare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Konjufca ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e presidentit Gjukanoviq dhe Malit të Zi ndaj Kosovës, derisa ka theksuar se forcimi i mëtejmë i raporteve të ndërsjella fqinjësore është një kontribut shtesë për stabilitetin në Ballkan dhe perspektivën e përbashkët euroatlantike.

Me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë, presidenti Gjukanoviqi e ka falënderuar kryetarin e Kuvendit për pritjen dhe konfirmoi mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizatat tjera ndërkombëtare.

Po ashtu, ai ka shprehur domosdoshmërinë e integrimit të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

Kryetari Konjufca dhe presidenti malazez Gjukanoviq e kanë vlerësuar të shkëlqyera marrëdhëniet ndërshtetërore dhe shprehën përkushtimin për avancimin e bashkëpunimit me interes për shtetet tona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
“Kjo e Ligës së Konferencës është finalja më e rëndësishme…