Delegacioni i MCC-së nga Uashingtoni, vizitë triditore në Kosovë

22 maj 2022 | 09:07

Një delegacion i Millennium Challenge Corporation (MCC), i kryesuar nga zëvendëspresidentja Alicia Mandeville, do ta vizitojë Kosovën gjatë 22-24 maj.

Ky delegacion do të qëndrojë në Prishtinë dhe Mitrovicë, do të vizitojë apartamentet përfituese të Prishtina HeatSave, pastaj do të jetë i pranishëm në ngjarjen që shënon përmbylljen e projektit “Women in Energy”, projekt ky që mundësoi që mbi 200 vajza dhe gra të kyçen në sektorin e energjisë përmes punës praktike me pagesë, dhjetëra vajza të studiojnë në fusha të energjisë, si dhe mbi 400 gra ndërmarrëse të rrisin bizneset e tyre përmes granteve për efiçiencë të energjisë.

Ndërkohë, do të marrin pjesë edhe në konferencën e donatorëve me temën “Subvencionet për efiçiencë të energjisë në Kosovë”.

Kosova i nisi përpjekjet për të vendosur partneritet me MCC-në që prej vitit 2010, por procesi eci ngadalë nga performanca problematike e qeverive kosovare, pavarësisht përkrahjes së vazhdueshme nga Kongresi i ShBA-së.

Në fakt, procesi i kualifikimit të Kosovës për fondet e MCC-së u udhëhoq deri vonë nga ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila në shkurt të vitit 2015 kishte themeluar Grupin Ndërinstitucional për të arritur kualifikimin e Kosovës në MCC.

Më 20 prill 2016 Qeveria e Kosovës nxori një vendim për themelimin e Zyrës së për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë, e cila tashmë do të funksiononte në kuadër të Zyrës së Kryeministrit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një nxënës i klasës së gjashtë nga Vushtrria është gjetur…