Limaj bën thirrje për konsensus nacional për temat e mëdha

24 qershor 2018 | 15:31

Lideri i Nismës Socialdemokrate, Famir Limaj, ka deklaruar se  ky subjekt politik di ta dallojë qeverisjen ditore nga temat nacionale për vendin.

Në Kuvendin e II të Punës së këtij subjekti politik, Limaj ka ftuar të gjitha subjektet politike parlamentare për konsensus politik për temat nacionale.

“Nisma di ta dallojë qeverisjen ditore nga temat nacionale. Temat nacionale nuk janë të rezervuara për një subjekt politik. Në tema nacionale duhet të  involvohen të gjitha grupet politike që janë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Limaj, duke shtuar se për këto tema duhet të involvohet edhe shoqëria civile, raporton “Epoka e re”.

Ai ka deklaruar se një nga këto temat nacionale është liberalizimi i vizave, formimi i ushtrisë dhe dialogu me Serbinë.

Sipas Limajt, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm në Evropë në fillim të vitit të ardhshëm.

Sa i përket fazës finale të dialogut me Serbinë, Limaj ka thënë se në këtë proces çdo subjekt politik duhet të marrë përgjegjësinë që i takon, duke shtuar se edhe Nisma do të marrë përgjegjësinë që i takon.

Zëvendëskryeministri Limaj ka thënë se ka kaluar koha kur mund të kontrabandohen temat e mëdha. “Koha e trafikimeve të temave të mëdha ka marrë fund dhe nuk mund të trafikohet as ky proces”, ka thënë Limaj.

/Epoka e re/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka uruar kryeministrin…