ZRrE-ja i reagon Avokatit të Popullit: Nuk e keni analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore

26 maj 2022 | 16:56

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) i ka reaguar Institucionit të Avokatit të Popullit, lidhur me një opinion që ka lëshuar ky institucion për vlerësimin e strukturës së re tarifore kundrejt të drejtave të njeriut.

ZRrE-ja ka vlerësuar se Avokati i Popullit as që e ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore.

“Vlen të theksohet se Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka ofruar ndonjë koment gjatë këtij procesi si mundësi e dhënë për të kontribuar në cilësinë e këtij procesi”, është thënë në reagimin e ZRrE-së.

Reagimi i plotë i ZRrE-së:

REAGIM PUBLIK NDAJ INSTITUCIONIT TË AVOKATIT TË POPULLIT

Më datë 23 maj 2022 Institucioni i Avokatit të Popullit ka lëshuar një opinion lidhur me vlerësimin e strukturës së re tarifore kundrejt të drejtave të njeriut.

Fillimisht duhet pasur parasysh se në kuadër të kompetencave të dhëna në legjislacionin primar dhe sekondar, ZRRE ka mandat për aprovimin e metodologjive tarifore dhe aprovimin të tarifave të energjisë. Në këtë kuptim në vitin 2021 ZRrE-ja ka iniciuar procesin e rishikimit të tarifave të energjisë elektrike në harmoni me legjislacioni primar dhe sekondar duke i dhënë mundësinë e komentimit të gjitha palëve të interesit lidhur me propozimin fillestar të ZRrE-së. ZRrE-ja pas shqyrtimit të komenteve të palëve të interesit ka paraqitur vlerësimin përfundimtar lidhur me Strukturën Tarifore. Vlen të theksohet se Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka ofruar ndonjë koment gjatë këtij procesi si mundësi e dhënë për të kontribuar në cilësinë e këtij procesi.

Ndër të tjera, në opinionin e Institucionit të Avokatit të Popullit pretendohet që rivendosja e bllok-tarifës në sistemin elektroenergjetik të Republikës së Kosovës ka qenë e kuptueshme dhe e mirëpritur nëse do të vendosej për të kursyer energjinë elektrike, por kjo nuk paraqitej në arsyetimin e ZRrE-së. Institucioni i Avokatit të Popullit në opinionin e tij, shihet që fare nuk ka analizuar raportin konsultativ për strukturën tarifore, dhe fton Institucionin e Avokatit të Popullit t’i referohet Raportit Konsultativ për Strukturën Tarifore të ZRrE-së, në faqe 19 dhe 20 të raportit, e ku theksohet:

“Një sistem tarifor me 2 blloqe (i aprovuar nga ZRrE) konsiderohet më i thjeshtë për t’u kuptuar nga konsumatorët, duke përmbushur gjithashtu kriteret e mbulimit të kostos, stimulimin e efiçencës së energjisë dhe ofrimin e sinjaleve të qarta të çmimeve për konsumatorët”.

Po ashtu, është e pa pranueshme se si Institucioni i Avokatit të Popullit vendosë jashtë kontekstit qëndrimin e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë (SKE). ZRRE rithekson se SKE ka përkrahur parimin e aplikimit të blloqeve duke dhënë komente përmbajtjesore përkrahëse lidhur me strukturën tarifore, madje s’ke ka rekomanduar rritjen e bllokut nga propozimi fillestar. Për më tepër në shkresën e s’ke ndër të tjera theksohet:  “Për ta përmbledhur këtë, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë mbështet bazën mbi të cilën ZRrE-ja ka propozuar rritjen e tarifave”.

Duke qenë se kohëve të fundit, ka një referencim të këtij raporti nga palë të ndryshme, ZRrE-ja përkundër sqarimeve të dhëna më sipër, ditëve në vijim do të hartojë një raport më të detajuar lidhur me vlerësimin e opinionit të Avokatit të Popullit për vlerësimin e strukturës së re tarifore ashtu që publiku të jetë i informuar në mënyrë të drejtë.

Avokati i Popullit: Vendimi i ZRrE-së për tarifat e reja të energjisë, diskriminues

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik, Ilir Ibrahimi, ka thënë se ky vend nuk…