Shqipëria ia ofron NATO-s bazën detare të ndërtuar nga ish-sovjetikët

26 maj 2022 | 17:24

Shqipëria ia ka ofruar NATO-s një bazë detare, me qëllim për të nxjerrë në pah, “në këto kohë të vështira” vlerën e shtetit të vogël në aleancën e Atlantikut Verior , ka bërë me dije të enjten zyra e kryeministrit.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se baza detare e Pashalimanit, 180 kilometra në jug të Tiranës, mund të jetë “një vlerë e shtuar”, për aleancën dhe se ishte përgatitur një projekt për rinovimin e saj.

“Në këto kohë të rrezikshme besoj se gjenerali (i pranishëm) mund të mendojë të ketë një bazë detare të NATO-s në Shqipëri”, ka thënë Rama.

Shqipëria, e cila është bërë anëtare e NATO-s në vitin 2009, i është bashkuar Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian duke dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

Baza e Pashalimanit e cila ndodhet në gjirin e Vlorës është ndërtuar në vitet 1950 kur Bashkimi Sovjetik ka sjellë në Shqipëri 12 nëndetëse, duke e bërë atë bazën e vetme detare që ata kishin asokohe në Mesdhe. Pas prishjes së lidhjeve Tiranë-Moskë në vitin 1961, Pashalimani ka mbetur si një bazë detare ku strehoheshin katër nëndetëset e mbetura dhe anije të tjera të vogla ushtarake, raporton “Rel”.

Baza u grabit, duke përfshirë materiale të shumta nga nëndetëset, gjatë trazirave të vitit 1997 në Shqipëri, kur popullsia më e varfër e Evropës humbi kursimet e saj në skemat e dështuara piramidale. Tre nga nëndetëset janë shitur për skrap, ndërsa e katërta ka mbetur aty, teksa qeveria është duke shqyrtuar nëse do ta kthejë atë në muze.

Pashalimani është rinovuar nga Turqia dhe që atëherë është përdorur si bazë detare për disa anije ushtarake, që patrullojnë detet Jon dhe Adriatik.

Gjithashtu, NATO ka nisur punën për të përmirësuar bazën ajrore të Kuçovës, edhe kjo e epokës komuniste, e cila ndodhet 85 kilometra në jug të kryeqytetit dhe do të përdoret për operacionet e ushtarake të aleancës euroatlantike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Karateisti Elhami Shabani është në rrugë të mbarë për ta…