Llapi fiton Kupën e Kosovës

26 maj 2022 | 22:03

Skuadra e Llapit është sërish fituese e Kupës së Kosovës në futboll, pasi në finale skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina e mposhti Dritën me rezultat 2-1. Ndeshja finale mes këtyre skuadrave u zhvillua në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe solli mjaftë emocione, derisa për atmosferën u përkujdesën dy tifozerit “Intelektualet” dhe “Legjendat”.

“Në këtë botë janë dy trajnerë, të cilët nuk i luajnë finalet por i fitojnë ato, ata janë Mourinho dhe Batatina”, ka thënë trajneri i Llapit, pas triumfit në finalen e Kupës. Llapi e nisi më mirë ndeshje dhe kaloi në epërsi qysh në minutën e 6-të, me golin e Francisco Rivera nga gjuajtja e lirë. Llapi vazhdoi dominimin, por nuk arriti të gjejë rrugën e golit të dytë, kurse në anën tjetër, Drita arriti të barazon shifrat në minutën e 37-të. Pas një ndërprerje mesfushori Hamdi Namani shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Muharrem Jasharit. Me rezultatin 1-1 skuadrat shkuan në pushim. Llapi e nisi furishëm edhe pjesën e dytë, pasi në minutën e 48-të realizoi golin e dytë dhe të fundit në ndeshje. Arbnor Ramadani, me një gjuajtje të fuqishme dhe devijimit të Almir Ajzerajt realizoi gol të bukur. Pas këtij goli ishte Drita që këmbënguli për të barazuar sërish, por pa arritur ta gjejë golin. Në anën tjetër, Dritën me një rast e shpëtoi tërthorësja pa e pësuar edhe golin e tretë.

“Në fakt jemi shumë të mërzitur. Ne patëm një mundësi të artë për ta kthyer Kupën në qytetin tonë. Goli i parë na prishi shumë punë. Një pjesë e dytë nuk kishte shumë futboll. Doja të shikoja një ndeshje më të mirë, por gjithsesi e përgëzoj kundërshtarin për triumfin e arritur”, ka thënë Ardian Nuhiu, trajner i skuadrës së Dritës. Trofeun e Kupës për kapitenin Bujar Idrizi e ndau presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, derisa medaljet për skuadrën e Dritës i ndau kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ato për skuadrën e Llapit, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Llapi e ka nisur mirë pjesën e dytë duke shënuar…