![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2022/05/vetura.jpg)
Policia e Kosovës sekuestron në Vërmicë veturën e vjedhur ‘Land Rover’
Policia e Kosovës në pikën kufitare në Vërmicë ka hasur në një veturë të dyshuar, ku pas kryerjes së procedurave të parapara ka rezultuar si veturë e vjedhur jashtë vendit.
Siç ka njoftuar policia, mbrëmë në pikën kufitare në Vërmicë, konkretisht në drejtimin e qarkullimit nga Shqipëria në hyrje për në Kosovë, është ndaluar vetura e tipit “Land Rover”, ngjyrë e zezë me targa vendore, me drejtues nga Kosova.
“Gjatë verifikimit të të dhënave të veturës dhe regjistrimit të saj në sistem, vetura e lartcekur është selektuar për kontroll në vijën e dytë, ku gjatë realizimit të kontrollit tek numri identifikues i veturës, është dyshuar se ka ndërhyrje. Me këtë rast është kërkuar nga Policia e Frontex-it, me mision në pikën kufitare në Vërmicë, që të bëhet verifikimi i veturës, verifikim sipas të cilit ka rezultuar se, e njëjta veturë është e vjedhur në vitin 2016 në një shtet tjetër”, ka njoftuar policia.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar që vetura dhe leja e qarkullimit të sekuestrohen dhe rasti të vazhdoj në procedurë të rregullt ndërsa lënda për hetime të mëtutjeshme i është dorëzuar njësisë për hetimin e autokrimeve.