Abdixhiku: Institucionet mikrofinanciare t’ia kthejnë shtetit 30 milionë euro

25 qershor 2018 | 15:41

Komisioni për Buxhet dhe Financa i kryesuar nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur dëgjimin publik për Projektligjin për institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.

Deputeti Abdixhiku ka thënë se 30 milionë euro që kanë fituar institucionet mikrofinanciare në kuadër të operimit të tyre si OJQ, do të ishte mirë të investohen në projekte kapitale në të mirë të gjithë qytetarëve. “Kapitali në emër të Kosovës prej donatorëve t’i mbetet Kosovës. Pra bëhet fjalë për 30 milionë euro. E mira do të ishte që këto para t’i dërgoni në një projekt të madh, fitimi i akumuluar për 20 vjet dhe ta tatimoni në mënyrë retroaktive. Situata e tretë, ideale që këto institucione të bëhen të qëndrueshme është që të paguajnë tatim. Për t’i ruajtur 1500 punëtorët të cilët punojnë në institucionet mikrofinanciare”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa Arsim Bruçaj nga Asociacioni i Institucioneve Mikrofinanciare ka propozuar që OJQ-të të mos shiten. Sipas tij, ato nuk do të shuhen në mënyrë që i gjithë kapitali i tyre të përdoret për statusin për të cilin veprojnë.

Taulant Hoxha nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile ka pohuar se paratë e fituara nuk guxojnë të shkojnë në xhep të askujt. “Përderisa hyjnë në lojë diskutimet e natyrës komerciale për një etnitet joprofitabil, atëherë është shumë problem të kyçemi në diskutimet e zgjidhjeve. Të mos ndërhyhet në autonominë e tyre, të mos ndërhyhet në lirinë e asociimit, që të mos ndërlidhet me Projektligjin për OJQ-në, sepse flet në përgjithësi. Pra nuk mundemi që me një ligj që trajton sektori në përgjithësi të zgjidhim një çështje që është një nga mijëra fushat e OJQ-së”, ka deklaruar ai.

Nait Hasani nga PDK-ja ka thënë se fondi prej 30 milionë euro duhet të jetë fond që i shërben shtetit. “Kjo çështje është shumë e paqartë ngase projektligji nuk i ka lejuar formën e tillë të organizimit të mikrofinancave. Statusi për përfitim publik dhe statusi jo për përfitim publik. Është rritur zhvillimi i mikrofinancave apo kapitali i tyre ndërkaq varfëria ka mbetur”, është shprehur Hasani.

Kurse deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se këto institucione kanë devijuar nga misioni për të cilin janë themeluar.

Ajo ka deklaruar se zgjidhja e vetme është që kontribuuesit në këtë kapital të jenë përfitues të kapitalit. “Me vetë faktin që janë krijuar këto institucione për t’u marrë me grupet e marxhinalizuara dhe në anën tjetër i kanë ngarkuar deri 28% me norma të interesit qytetarët, atëherë këto kanë devijuar nga misioni i tyre . Unë konsideroj se e vetmja zgjidhje do të ishte që kontribuuesit në këtë kapital të jenë përfitues të kapitalit. Nuk mund të lejojmë diçka tjetër, sepse është komplet e papranueshme”, ka deklaruar Bajrami.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtori i Drejtorisë…