Rusia ndërpret furnizimin me gaz për Holandën

31 maj 2022 | 14:56

Rusia ka ndërprerë të martën furnizimin me gaz në Holandë, në përshkallëzimin e fundit të mosmarrëveshjes për pagesat e energjisë me Perëndimin.

Kompania holandeze “Gasterra” ka raportuar se “Gazprom”-i ka vendosur të ndalojë furnizimin me gaz për shkak të refuzimit të kompanisë për të paguar në valutën ruse, rubla.

“Gazprom Export” ka kërkuar që vendet evropiane të paguajnë për furnizimet me gaz rus në rubla për shkak të sanksioneve të vendosura për pushtimin e Ukrainës nga Moska. “Gazprom”-i tashmë kishte ndërprerë gazin për Finlandën, Poloninë dhe Bullgarinë pasi ato kanë refuzuar të respektonin kushtet e reja të pagesës.

“Gasterra”, e cila blen dhe tregton gaz në emër të qeverisë holandeze, ka thënë në një deklaratë se kishte “parashikuar” lëvizjet e Rusisë për të ndërprerë gazin dhe se ka blerë 2 miliardë metra kub gaz që pritej të merrte nga “Gazprom” deri në tetor.

Rreth 44 për qind  e përdorimit të energjisë holandeze bazohet në gaz, por vetëm rreth 15 për qind  e gazit holandez vjen nga Rusia, sipas shifrave të qeverisë. Qeveria holandeze ka njoftuar më herët planet e vendit për të ndaluar përdorimin e karburanteve fosile ruse deri në fund të vitit.

Vendet evropiane janë të ndara se si t’i përgjigjen kërkesës së Moskës që të gjitha pagesat për gazin të bëhen në monedhën vendase. Gjermania dhe Italia është thënë se u kanë thënë kompanive të tyre se mund të hapin llogari në rubla për të vazhduar blerjen e gazit rus pa shkelur sanksionet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka…