Kryediplomati grek: Greqia është kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

31 maj 2022 | 16:52

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka bërë thirrje për kujdes pasi “aktorët e palëve të treta” duket se “po synojnë destabilizimin e Ballkanit Perëndimor”. Ai ka thënë se shteti i tij është kundër ndryshimit të kufijve në rajon.

“Të gjithë partnerët në Ballkanin Perëndimor duhet të luftojnë ndikimet negative dhe t’iu përmbahen vlerave evropiane”, ka thënë Dendias në Sarajevë më 31 maj, pas një takimi që ka zhvilluar me ministren e Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës, Bisera Turkoviq.

Dendias ka thënë se shteti i tij pa mëdyshje mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnjë e Hercegovinës, avokon për siguri dhe stabilitet në rajon, por gjithashtu kundërshton në parim çdo ndryshim të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Gjatë konferencës për media, dy kryediplomatët kanë kujtuar se Greqia dhe Bosnjë e Hercegovina kanë 20 marrëveshje dypalëshe në fushën e ekonomisë, mbrojtjes së investimeve, mbrojtjes, transportit, kulturës, edukimit dhe shkencës, por po ashtu thanë se ka hapësirë për forcim të mëtejmë të raporteve ekonomike.

Ministrja Turkoviq ka thënë se Greqia si pjesë e NATO-s, është një partnere e respektueshme e Bosnjës në rrugën e shtetit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe Aleancën Veri-Atlantike. Ajo po ashtu ka thënë se dy shtetet bashkëpunojnë përmes programit të bashkëpunimit dypalësh që ministritë e Mbrojtjes së të dyja shteteve nënshkruajnë çdo vit.

Sipas Turkoviqit, Greqia është një prej shteteve që vazhdimisht mbështet integrimin evropian dhe ajo falënderoi Athinën për mbështetjen e Sarajevës për të marrë statusin kandidat për anëtarësim në BE, pasi sipas saj, shumica e qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës duan që shteti të anëtarësohet në bllokun evropian./REL/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti Ndërkombëtar i Lisbonës është aeroporti më i keq në…