Kosova nesër luan kundër Qipros, Giresse: Na duhet shpirt luftarak

01 qershor 2022 | 17:40

Kosova nesër (e enjte) do ta fillojë edicionin e ri të Ligës së Kombeve me ndeshjen kundër Qipros. Para duelit në konferencë për medie kanë dalë trajneri Alain Giresse dhe mesfushori Valon Berisha.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës në futboll, Alain Giresse, para ndeshjes ka thënë se u duhet shpirti luftarak. “Po e nisim një garë të re. Të gjitha ekipet pjesëmarrëse janë në një pikë të njëjtë. Na duhet shpirt luftarak. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme të shikojmë se si luan Qipro. Duhet të vendosemi në fushë ashtu siç lojtarët ndihen më së miri. Duhet të luajmë shumë shpejt, ta qarkullojmë topin sidomos kur e kemi atë në pronësi. I kemi shikuar disa nga ndeshjet e fundit të Qipros dhe e kemi parë potencialin e tyre”, ka thënë Giresse.

Më tutje, ai ka thënë se për të kanë qenë shumë të rëndësishme ndeshjet ndaj Burkina Fasos dhe Zvicrës. “Ka qenë një mundësi e mirë për ta rindërtuar ekipin në mënyrën se si mendoj t’i adaptoj lojtarët për t’ua përcjell atyre një shpirt luftarak dhe mentalitetin që unë dua që ata ta kenë në fushë. Andaj besoj se jemi në një moment të mirë dhe këtë duhet ta dëshmojmë”, ka thënë ai.

Ndërsa mesfushori Valon Berisha ka thënë se ndeshja kundër Qipros është shumë e rëndësishme. “Është loja e parë. Ka me qenë një lojë shumë e rëndësishme për t’ia filluar sa më mirë grupit. Besoj se është një lojë e vështirë. Jemi përgatitur mirë dhe jemi mbledhur shumë më herët për të qenë sa më gati për këtë sfidë”, ka thënë Berisha, duke shtuar se ëndërrojnë ta kualifikojnë Kosovën në Evropian. “Ëndërroj ta kualifikoj Kosovën në diçka të madhe, Evropian ose Botëror. Ky është momenti. Trajneri ka sjellë një atmosferë tjetër”, ka thënë Berisha.

Kosova dhe Qipro do të luhet nesër (e enjte) me fillim nga ora 18:00.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Monza është ngritur në Serie A dhe ka nisur kërkimin…