Naim Ismajli, koordinator i Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në KQM

03 qershor 2022 | 12:15

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka prezantuar sot koordinatorin e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë, Naim Ismajli.

Përmes një video prezantimi, kreu i PDK-së tha se e ardhmja e Kosovës, nuk mund të paramendohet pa agjendë të gjelbër, e cila kërkon politika dhe qasje të re në të gjitha fushat, duke filluar nga bujqësia e zhvillimi rural.

“Andaj, sot kam nderin të prezantoj koordinatorin e Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, z. Naim Ismajli, i cili së bashku me një ekip të gjerë profesional, do të na ndihmojë në arritjen e këtij objektivi prioritar për të ardhmen e vendit tonë. Të gjithë e njihni si kryetarin emblematik të Komunës së Shtimes, ku ka qeverisur për katër mandate. Por, veç kësaj, Naimi ka mbi 30 vjet përvojë pune në pozita udhëheqëse e menaxheriale”, ka thënë Krasniqi.

Naim Ismajli është inxhinier i diplomuar i Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, dhe ka përfunduar studimet master dhe të doktoratës për Menaxhment dhe Informatikë.

Përveç si kryetar i Komunës së Shtimes, ai ka shërbyer si Drejtor i Kooperativës Bujqësore, Drejtor i Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Ambient dhe kryeshef ekzekutiv në Kuvendin Komunal në Shtime.

Për më shumë se dy dekada, Ismajli ka qenë i angazhuar në mësimdhënie, prej të cilave më shumë se 10 vjet si ligjërues universitar i lëndëve nga fusha e menaxhmentit, marketingut dhe lidershipit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fund të…