Bajraktari boton libër për arkitekturën e Kosovës në dy dekadat e pas luftës

09 qershor 2022 | 12:12

Shkencëtarë dhe profesionistë të ndryshëm përgjatë historisë kanë zhvilluar teori dhe praktika të ndryshme. Me kalimin e kohës shembujt e zbatimit në praktikë bëhen pjesë e logjikës së përgjithshme dhe mendimit të përgjithshëm shoqëror. Në këtë rast, teoria paraprijëse e themeltare nuk është gjithmonë e dukshme. Kosova, duke qenë në përgjithësi prapa në zhvillim në krahasim me vendet e zhvilluara të botës, ndodh që të aplikojë praktika të caktuara në fusha të ndryshme të dijes, të importuara me një vonesë të konsiderueshme. Kështu aplikimi i praktikës bëhet shpeshherë në formën e adaptimit, përvetësimit apo të kopjimit të vrazhdë, pa analizuar shumë teorinë themeltare apo faktorët përcaktues të teorisë në rrethanat konkrete të zbatimit në praktikë. Njësoj në fushën e arkitekturës, urbanistikës etj., në Kosovë ndodhën edhe shumë gabime e probleme, përderisa zhvillimi në këtë fushë ishte i hovshëm, ndërkaq njohuritë lidhur me të jo edhe aq të bollshme. Duke pasur formimin arsimor, por edhe përvojën akademike dhe profesionale nga vende të ndryshme të botës, fillova t’i njoh disa prej këtyre gabimeve e mangësive dhe ta analizoj prejardhjen e tyre. Dhe kështu filloi libri.

Objektiv i këtij libri është shtjellimi i arkitekturës kosovare në dy dekada pas luftës që mbaroi në qershor të vitit 1999. Mund të themi arkitektura kosovare në vitet 2000-2020. Libri përqendrohet në zhvillimet e arkitekturës brenda territorit të Kosovës, në veçanti në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Megjithatë tangjenton edhe tema apo referenca jashtë kufijve të Kosovës, veçanërisht në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë si zhvillime paralele.

Libri, po ashtu, përkufizohet enkas në analizimin e zhvillimeve të arkitekturës. Periudha që trajtohet ishte me një situatë të trazuar politike në vend, por zbërthimi i aspekteve politike dhe aspekteve të tjera sociale në kaosin e ndërtimit, do të ishin temë tjetër, jashtë fushëveprimit të studimeve të arkitekturës. Studimi i tyre do të ishte i vështirë për shkak të mungesës së transparencës në shumë ngjarje e faktorë relevantë. Për këtë arsye ky studim përqendrohet në përshkrimin e zhvilli­mit të arkitekturës në vend, përtej analizës së rrethanave shoqërore dhe politike.

Përparimet e arkitekturës kosovare dhe mangësitë e saj identifikohen në krahasim me shembujt nga praktika dhe me të dhënat bashkëkohore. Vlen të theksohet se radhitja e problemeve të shënuara bazohet në vrojtim të rastësishëm e personal të zhvillimeve në terren. Kjo nënkupton se përzgjedhja dhe radhitja e tyre bazohet kryesisht në vlerësimin subjektiv dhe peshimin intuitiv të faktorëve në fjalë, edhe pse ku pati mundësi është bërë dhe paraqitur edhe vlerësimi kuantitativ. Një analizë më e thellë statistikore dhe empirike do të kërkonte studime shumë më të hollësishme. Gati secili problem mund të studiohet në veçanti dhe të përbëjë ndoshta një studim doktorate në vetvete apo një projekt kërkimor nga një grup shkencëtarësh. Uroj që përmbledhja në vazhdim të shërbejë si inspirim.

Siç thuhet tutje në këtë libër, shumica e problemeve që u shfaqën në fushën e arkitekturës, në vendburim kanë mendësinë e vjetër dhe prapambetjen në shkollimin arkitektonik në vend. Natyrisht shkollimi arkitektonik është pjesë integrale e sistemit arsimor në vend dhe problemet në shkollimin e arkitektëve lidhen edhe me problemet e shkollimit në përgjithësi në vend, por kjo çështje është përtej objektivave dhe synimeve, por edhe kapaciteteve të këtij studimi modest.

Libri i kushtohet lexuesit pa dallim moshe, gjinie, profesioni, pa dallim orientimi politik dhe shoqëror. Mënyra e shkrimit është përshtatur që t’i drejtohet audiencës së gjerë. Po ashtu, në këtë formë, libri është përshtatur edhe për lexuesin jokosovar, duke llogaritur se tematika e trajtuar është me rëndësi për studimet edhe të nivelit ndërkombëtar, për veçantinë e fenomenit dhe formën e paraqitur në vend. Në veçanti libri u dedikohet atyre që merren me arkitekturë meqenëse libri trajton temën e arkitekturës në Kosovë për një periudhë të caktuar. Përderisa nuk i takon nivelit teknik, ky libër mëton të shërbejë si kritikë për teorinë dhe historinë e arkitekturës kosovare në vitet e fundit, por edhe për formimin e mendësisë së gjeneratave të reja për të ardhmen e arkitekturës në vend.

Me rastin e botimit të librit, falënderoj recensentët e redaktorët: dr. Arta Basha-Jakupi, dr. Visar Hoxha, dr. Tomor Çela dhe dr. Merita Bajraktari-Januzi, si dhe miqtë dhe kolegët Shqiprim Ahmeti, Mehmet Dashaj, Lyra Bakija, dr. Hazer Dana, Fadil Dalipi, Shkëlzen Dhomi, dr. Nexhat Çoçaj, dr. Izet Miftari dhe Roland Spahiu që me komentet e sugjerimet e tyre në draftin e parë, ndihmuan në pasurimin e këtij libri.

 

Parathënia e librit nga dr. Egzon Bajraktari

Prishtinë, maj 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para disa ditësh është organizuar eventi për shënimin e 3-vjetorit…