Komisioni Hetimor për energjinë, dështon finalizimi i listës së dëshmitarëve

10 qershor 2022 | 16:23

Me përplasje në mes të opozitës dhe pozitës është përcjellë mbledhja e Komisionit Hetimor parlamentar për dyshimet rreth keqpërdorimit të energjisë elektrike nga viti 2006-2022 i themeluar nga Qeveria e Kosovës, e si rrjedhojë nuk është votuar lista me emra të dëshmitarëve që do të thirren për intervistim.

Në mbledhjen fundit të këtij komisioni janë përmendur ish-kryeministrat dhe ministrat aktual dhe të kaluar në institucionet përkatëse, raporton “Ksp”.

Kryesuesi i këtij komisioni nga PDK-ja, Hajdar Beqa, ka thënë se gjatë rrugës do të largohen nga lista disa persona që janë në procese gjyqësore, dhe se do të ftohen të gjithë të tjerët. Ndërkohë nga opozita është kërkuar të ftohet edhe ambasadori Martin Berishaj për intervistim.

“Gjatë rrugëtimit mund të ketë persona që largohen nga lista e të thirrurve si dëshmitarë pasi të njëjtit kanë probleme gjyqësore, siç është çështja në Hagë”, ka thënë Beqaj.

Ndërsa deputeti Armend Muja nga LV-ja ka deklaruar se duhet të thirren krejt bartësit e institucioneve  nga viti 2006 deri më 2022, dhe e njëjta listë të votohet pa shtuar numrin e dëshmitarëve.

“Të gjithë bartësit nga viti 2006 deri 2022, nuk mund të përjashtojmë asnjë prej tyre çfarëdo pozite që kanë qenë ata. Ne kemi emra të tjerë që do t’i prezantojmë javën tjetër. Sot ta votojmë listën të cilën e kemi diskutuar mbledhjen e kaluar”, ka thënë Muja.

Më tutje, deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, ka thënë se në listë mungon edhe ambasadori Martin Berishaj për të dëshmuar.

“Adil Jonuzi, drejtor i minierave në KEK të shtohet në listë dhe Martin Berishaj mungon në listën e të ftuarve”, ka thënë Krasniqi.

Kurse deputeti tjetër i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se janë diku rreth 300 dëshmitarë për t’u intervistuar.

Në vazhdim, deputetja Time Kadrijaj nga AAK-ja ka thënë se ka përsëritje të emrave në listë.

Të mërkurën e ardhshme komisioni ka bërë me dije se do të shtohen emrat e dëshmitarëve që do të thirren për intervistë përfshirë shefen e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari – Lila.

Armend Muja propozimin e opozitës për t’i thirrur në komision hetimor si dëshmitarë Martin Berishajn dhe Mimoza Kusari-Lilën i ka quajtur ide “koti”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Manchester City u shpall kampion i Premier Ligë, teksa  arritën…