Kurti e quan lajm të mirë votimin e ligjit për pagën minimale ku nuk u përfshinë veteranët e UÇK-së

14 qershor 2022 | 17:15

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur lajm të mirë për qytetarët votimin në parim të Projektligjit për pagën minimale.

Ndonëse në këtë projektligj nuk janë përfshirë veteranët e UÇK-së, të cilët kishin protestuar javën e kaluar, Kurti ka thënë se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë rritje të pagave.

“Lajm i mirë për qytetarët që sot Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë të ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në pagën minimale. Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat, përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plotë 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publikë përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”.

“Gjithashtu, i uroj punë të mbarë anëtarëve të sapozgjedhur të Komisionit për Autoritetin e Konkurencës, që për herë të parë udhëhiqet nga një grua. Ky institucion ka rëndësi të madhe në mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive në vend. Rëndësia e tij rritet edhe më shumë tani që po përballemi me një periudhë inflacioni. E nga sot, me miratimin e Projektligjit për Provimin e Jurisprudencës, për herë të parë këtij provimi do të mund t’i nënshtrohen edhe kandidatë nga trojet tjera shqiptare, duke përfshirë këtu shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i juniorëve të 2 Korrikut, Labinot Haziri është pajisur…