Vizioni i së ardhmes në poezinë moikomiane

15 qershor 2022 | 16:41

Në dyvjetorin e largimit nga jeta të eruditit dhe poetit të shquar Moikom Zeqo

Nga: Bedri Islami

Moikom Zeqo ishte si prekje e mahnitshme e dritës. E lehtë, e plleshme, drithëruese. Më shumë se njeri, ai ishte frymë; i ngjante drerë lumenjve që ikin pllajave dhe, si duket, ngutja e tij për të qenë në të ardhmen, duke ikur befasisht,  e bëri mitin e tij të pazakontë dhe të pakapshëm.

Ai është, edhe sot e kësaj dite,  një ndër mendimtarët më të lirë të kohës sonë, i virtytshëm deri në skaj dhe i guximshëm me të gjithë atë që shfaq. Shpesh herë ai është vizioni që përplaset në shkëmbinjtë e së pamundurës.

Një ndër pararendësit e idesë në të ardhmen, dhe, oh, çfarë pararendësi i madh, njeriu në vend të religjionit do të ketë filozofinë se mendimtarët do të jenë njëjtë si shenjtorët në religjionin e krishterë.

Kryengritës i poezisë, sidomos asaj post moderniste, profet i Kryengritjes së re Poetike, eseist i një lloji të veçantë, suigeneris, ai ka hapur aq shumë ujdhesa dhe pjesë kontinentale të një letërsie frymëmarrëse, sa që, nga bashkimi i tyre mund të formohet një kontinent i tërë.

Asnjë poet nuk ka besuar kaq shumë në poezinë e tij, asnjë nuk e njohu kurrë më shumë se sa Ai besimin në ëndrrat e veta; asnjë tjetër nuk mori ato përmasa jetësore në kufirin e së pamundurës dhe nuk na tronditi me gjithçka që solli. Ai bëri, në kaq vite, një punë titanike dhe do të mbetet gjatë i pakuptueshëm se si arriti të ndërtojë një botë të tillë, se si magjia e artit të tij përputhej me vetë jetën e njeriut Moikom, se si vrulli i këtij shpirti nuk u ndal kurrë, edhe kur e dinte se sëmundja do të ishte fatale. Ai e krijoi botën e tij fillimisht me pasion, dhe ai ishte njeri pasionant, ku dëshirat shpërthenin nga gjoksi i tij migjenian; e krijoi me diturinë e pashembullt, e cila nuk dihej se si mund të ishte grumbulluar në një njeri të vetëm: e brumosi me vullnetin e pazakontë, që i ishte bërë veti, shprehje, gjendje jetësore, dhe, mbi të gjitha, me talentin dhe kujtesën e tij fenomenale. Është e çuditshme, por e vërtetë, se si një poet aq modern, thellësisht modern, të ishte në të njëjtën kohë një përpirës i tmerrshëm e urtësisë njerëzore.

Ky poet filozof dhe filozof poet nuk më ka lënë asnjëherë të sodis, të qëndroj i huaj, apo i jashtëm, ftohtësirë akullnajore; në të kundërtën, si është pritur, ai të sjell momentet shpërthyese, drithëruese, më shpesh kryengritëse dhe djallëzore, ngre krye përmes përplasjeve, dialog i pafund me kohën e shkuar dhe parathënës i kohës së ardhshme, i pakufizuar, pasi kufizimi është marrëzi; i pathyeshëm sepse thyerja është nënshtrim; kërkues pasi kërkimi është etja e tij e pashuar; kryengritës sepse e urren përuljen, skeptik pasi dashuron marrëzisht të pazakontën, njeriu që nuk hesht sepse është në të drejtën e tij për të mos heshtur; përmbysës i normave dhe strikteve galaktike, në fund të fundit, arsyeja për të besuar në mitin sizifian të poezisë, prozës, meditimit, esesë, shkencës, politikës, filozofisë, artit, miqësisë.

I veçantë në llojin e tij, ai është i paimitueshëm, megjithëse idetë e tij, pasi marrin fillesën-bulojnë tek të tjerët. I dëshpëruar dhe i gëzuar njëkohësisht, i dashuruar marrëzisht dhe krijues i një perandorie të pashoq, që nuk gardhohet dot dhe as nuk mund të ishte e sajuar, përtëritës migjenian i një bote tjetër lloj dhe risjellës i kumtit të Gjon Buzukut, De Radës, Mjedës, Poradecit, njëjtë si sjell ankthet e pa-uruara të Apolinerit, të Hajnes, Erazmit të Roterdamit, i lidhur me magjitë e poezisë së tij – nga hutimi i së bukurës – zërat që i dëgjon nëpër shkulmimin e detrave – baladat që kumbojnë nëpër tisin e natës – brengën e varrit të Buzukut – si një kumtesë e përshpirtshme jashtë kambanareve – surealizimin e çuditshëm si mjellmë e përgjakur- gëzimin e jetës të Horacit – gjurmët si ecja e ngadaltë në rërën e Currilave – poezinë hebraike dhe vrapimet e gazelës në brigjet e Nilit – një stil deri në çmenduri lakonik dhe kumbimi i ecjes së Hygoit nëpër natën e kishës së Zonjës Tonë parisiane – imazhet që vezullojnë dhe, në fund, vdekja, si substancë e filozofisë me përsiatjet për qenien apo mos qenien.

Poezia është ekzistenciale deri në thelbin e Mosqenies dhe të Verbimit, nëse filozofia ideon, poezia jetëson.

Përtej tyre nuk ka më asgjë tjetër thelbësore, janë lëvozhgët që bien nga kumti i moteve, përplasjet ballas me njëra-tjetrën në këtë ankth diellor, ekstazë të pafund, diell dhe shpresë.

Shpesh herë poezia moikomiane të duket se është shkëputur nga traditat hebraike të Dhiatës së vjetër, herë tjetër është si rrjedhje burimore nga himnet fetare të Asirianëve dhe Egjiptianëve të Vjetër, më pas përplasen me poezitë e dashurisë së këtij trualli të habitshëm, deri në Mosbesim se mund të ketë qenë, zanafillë e kohës në Fillimin e ngritjes së gjërave, kthjelltësim i dashurisë, Pasjetë e panjohur dhe enigmë danteske – ku, në cilin rreth të ferrit do të jenë poetët, apo e Nëndheshmja ka përgatitur një parajsë të veçantë për to, zbërthim i kodeve të lashtë si në papiruset egjiptiane, hyrja triumfuese e Jezu Krishtit në Jeruzalem, endja mosiane e çifutëve nëpër shkretëtirë pa e ditur asnjëherë cakun ku do të ishin një ditë dhe shpërndarjen si kokrrat e orizit nëpër botën e gjithandejshme… dhe, çuditërisht, një dituri që dikur është quajtur “dituria solomonike”.

Kufiri mes poetikes së madhërishme dhe konkretes së habitshme bëhet herë-herë i padukshëm, por nuk është vetëm kjo. Poezia e Moikomit të çon, me hir a me pahir, tek ideja e Ekzistencës apo e Mosekzistencës në raport me vetveten, me dëshirën, në raportet midis sendeve dhe pamjeve, dëshirës së hershme dhe mosarritjes së Ëndrrës – sa ëndrra kemi humbur në këtë rrugëtim të pashoq; në fund të fundit ai, si, ndoshta, askush tjetër në poezinë shqipe ka bërë Riformatimin e saj.

Për Moikomin, si për Çomskin, nuk është e rëndësishme se çfarë mbulojmë, por se çfarë zbulojmë. Duke mos e njohur kufizimin, nuk e tjetërson hapësirën; duke u endur në hapësirë – krijon përmasën e tij të veçantë- i egërsuar me vetveten – qetëson të tjerët – tiraninë e fjalës e vë në përmbysjen e tiranisë së kufizimit, marramendës si pak kush ka gjithnjë mendimin se fjalët nuk duhen mbajtur brenda vetes, por duhen shpërthyer; poezia e tij ka bërë ridimensionimin e saj. Eksplorues – që nga një reliev babilonas deri tek e kuqja e ndezur e Onufrit –  poezi tunduese në lëmin e fjalës – hutues i të papriturës.

Nëse ai ka mendimin se secili njeri ka disa statuja brenda vetes, ato të paraardhësve të vet”, nuk e di se çfarë fshihet në brendësinë e tij, të shkuarit e shumtë janë të plotfuqishëm, tiranë në shpirtin e tij dhe nga kjo tirani e përbotshme ka lindur një poezi suigeneris.

Dikur filozofi i vjetër grek, Taleti, ka thënë se të gjitha gjërat janë të mbushura me hyjni: enigma ime është se ku qëndron hyjnia e Moikomit.

Poezia është thelbi i tij. Ai është i mbushur me një hy të tillë.

Në fund të fundit, ai është poeti që nuk i ka interesuar kurrë vetvetja, por e vërteta. Ka qenë princ dhe Skllav i të Vërtetës. Profet dhe shërbëtor i saj. Kryengritës dhe i Përulur. Mendim i saj dhe Fjalë Masakruese. Atlantida e dalë nga humbësira e ujërave dhe i Rebeluari i fjalës.

Nga të gjitha këto ka dalë poezia e tij.

Moikom Zeqo është një artist i madh. I paqtë si njeri dhe polemist si artist. I ndërlikuar në artin e tij; mes nesh sikur vezullon, lëviz, sjell imazhet e papërsëritura dhe të duket si një princ, në fakt është, i mendimit të lartë estetik, shpirtit të mrekullueshëm. modernizmit të jashtëzakonshëm, erudicionit ; rreth tij sillen ëndrrat si imazhe, të koncentruar në heshtje dhe, në të njëjtën kohë , në gjëmim.

Ai ka vendosur këmbët e letërsisë së tij në dy kohëra; në të sotmen dhe në të ardhmen.

Sa më e fuqishme bëhet e tashmja, aq më tepër ai vjen drejt nesh, si gjërat e mrekullueshme që vijnë në fillimin e stinëve; poezia e Moikomit është si lojërat e ajrit, diellit, erës, mendimit, të ardhmes, perëndive, intimes dhe të përjetshmes.

Ai e ka jetuar shekullin e shkuar , këtë shekull dhe ka fituar të drejtën të hapë shekullin tjetër.

Të jetosh mes dy shekujve dhe të përgatitësh shekullin tjetër, është veçanti e rrallë, por në fakt, sa më shumë që koha do të kalojë, aq më modern do të bëhet poezia, proza, eseistikja e tij.

Një ditë ai do të përbëjë referencën e domosdoshme për atë pjesë të botës që njihet si e Artit.

Mjeshtëria e madhe e artit moikomian qëndron , se duke ngarendur pas një arti të komplikuar e njëkohësisht tejet të prekshëm, ai krijon, zbulon, duke e fshehur artin e tij.

Ashtu si Moisiut që iu për shfaq Zoti në formën e një shkurreje që digjej në flakë, por nuk konsumohej dot, ashtu edhe arti i Moikomit, si një klithmë e pashoqe poetike, është i padjegshëm nga koha.

Arti i Moikomit është si koha: do të thotë mbarimi i pambërrishëm i një serie të pafund.

Në fakt, ai ka krijuar një bibliotekë, ku janë së bashku shumë gjëra; është madhështia dhe mendimi, rrënimi dhe ri ngritja, fuqia dhe rënia, e vërteta dhe mashtrimi, e djeshmja dhe një kohë e pacaktuar e së ardhmes, kuptimi i gjërave dhe rrënimi, substanca dhe hija, qytetërimet e mëdha dhe boshllëku, jeta e limituar biologjike njerëzore dhe pafundësia e artit, identiteti dhe kozmopolizmi artistik, ai është pelena e lindjes së një arti të ri shqiptar dhe, dhëntë Zoti, të mos jetë edhe qefini i saj.

***

Është shumë e vështirë të shkruash për Moikomin, ndoshta duket e pamundur. Përmes shumë shkaqeve, mendoj se njëri është më përcaktues: ai është njëkohësisht në një kohë tejet të shkuar, po aq sa edhe përtej kohës sonë dhe vështirë i arritshëm.

Të merresh me studimin e Korpusit moikomian është një punë sizifiane, nëpërmjet së cilës mendon disa herë se je ngjitur në majë dhe, rishtas, duhet të ia rinisësh nga fillimi. Kjo nuk ka të bëjë me shumësinë e jashtëzakonshme të botimeve të tij, të cilat në më shumë se 110 librat e botuar përbëjnë thuajse 35 mijë faqe, por edhe nga publikimi i jashtëzakonshëm, tejet erudit i gjithçka që ka të bëjë me jetën dhe vdekjen, të mirën dhe të keqen, Orientin dhe Perëndimin, të shkuarën dhe të tashmen, Poezinë dhe Mendimin, Vizionin dhe Ëndrrën, Universialitetin  abstrakt dhe Alternativat e Historisë, Njerëzoren dhe Marramendjen e Pasjetës, Iluminizmin dhe Fatalitetin, Gjuhën e sotme shqipe dhe hieroglifet e lashta, Ikonografinë dhe Postmodernen, Lëvizjet Sokratike të mendimit dhe Përceptimet Konfuçiane, Botën e Fjalëve dhe Heshtjen e domosdoshme…të cilat, po ashtu, përbëjnë një korpus tjetër të pamatë, nga të cilat do të ngrihej edhe një vargmal tjetër marramendës, në majën e të cilit e ke të vështirë, në mos të pamundur të ngjitesh. Por, nga rrugëtimi drejt të cilit, nuk mund të shkëputesh. Mund të jesh i lodhur, mund të të ndjellë pushimin në çastin e tij, por, që do të kthehesh e rikthehesh, kjo është e sigurte.

Moikomi është një krijues i çuditshëm dhe vështirë i përsëritshëm. Ndoshta, është më i çuditshmi i letrave shqipe. Jo vetëm të kohës sonë. Në fakt, është përtej kohërave, në një botë mitike, përmes së cilës ai shfaqet si profetët e lashtë dhe shpresëdhënësit e rinj. Kalimi i tij nga njëra kohë në tjetrën nuk e bën atë më pak njerëzor, e bën të gjithëkohshëm dhe njëkohësisht shumë të prekshëm.

Ai është, pa dyshim, mistifikimi i një bote në ngjizje me të ardhmen dhe dëshmues i fuqisë së fjalës përmes së vërtetës. “Asgjë nuk është e bukur veç së vërtetës; shkruante Bualo, vetëm e vërteta është e bukur”. Kryeqyteti i Moikom Zeqos është e Vërteta. Aty ka ngritur fillimisht kasollen e tij të habitshme përmes poezive të para; pastaj tullë pas tulle, si në Babiloninë e Lashtë, ka gatitur një banesë modeste për të shkuar drejt arketipit të tij, një piramidë veprash dhe mendimi, që zor se i gjendet shoqja në truallin ballkanik e, duhet thënë, shumë përtej tij.

Armik i së zakonshmes dhe mik i të çuditshmëve, si Frederik Reshpjes dhe Lagushit, të mohuarve të mëdhenj të letrave shqipe, ai, si një e  vërtetë natyrore e gjen veten në dialogun e pamohueshëm dhe njerëzor me ata që e duan të vërtetën, që e ndjejnë atë dhe nuk kanë asgjë më të shenjtë.

Me Moikomin do të ndodhë diçka e çuditshme. Brezi që do të vijë pas nesh do e njoh atë shumë më mirë se sa bashkëkohësit. Mes fjalëve të tij dhe konceptimit poetik të brezit që do të vijë nuk do të ketë asnjë ndarje; koha e sotme është e pa zonja të studiojë si duhet atë, të nxjerrë përfitimet dhe përjetimet e poetit dhe dijetarit, ashtu si ka qenë e pamundur për shumë nga artistët e mëdhenj të kohërave. Ai bën pjesë në këtë plejadë me natyrshmërinë e artistit që nuk është thjeshtë vizionar; në rastin e Moikomit gjithçka është kaq e gjallë, moderne, e prekshme dhe enigmë njëkohësisht, ai ka arritur që në Veprën e tij shumë – shumë të gjerë, të ketë edhe unin e tij, pra, të jetë i pranishëm, i konceptueshëm, ndonëse e gjithë kjo mund të ketë qenë e pavetëdijshme. Korpusi i tij, më shumë se 100 vepra madhore, është aq i gjerë sa që mendja e njeriut të vetëm duhet të jetë tej së zakonshmes së një gjeniu; ai do të rrokë kaq shumë tema dhe personazhe, sa që prej tyre mund të kemi një bibliotekë të pazakontë ose edhe një enciklopedi; ai e bën veten pjesë të dhimbjes duke e ndjerë atë dhe kjo, e gjitha, e bën të duket e pamundura vështirë e arritshme, por ja që është arritur.

Indianët, budistët në veçanti, besojnë në një numër të pafund lindjesh dhe jetësh të mëparshme. Pak e njoh historinë e një princi të Nepalit, i quajtur Siddhartha Gautama, i cili u bë Buddha, ose i Zgjuari, por, nëse sado pak të ishte e vërtetë kjo histori, mund të mendoja se pararendësit e Moikomit kanë qenë të shumtë, që nga Gazulli, Budi,Gjon Buzuku – më i përndritshmi mes meshtarëve të kombit, De Rada, Bogdani më shumë luftëtar e dijetar i madh se sa predikues, i varrosur si peshkop në një kishë të Prizrenit, trupi i së cilit, si mund të kishte ndodhur vetëm në lashtësi me tragjedianin e madh, Euripidin, iu shpërnda qënëve; më tej – Bardhi, Serembe, kronistët e Kastriotit, Mjeda, Migjeni…të cilëve u ka kushtuar trajtime të tëra studimesh dhe për të cilët ka krijuar panteonin e tij.

Arti i Moikomit është si të thepisurat e malit Ararat, maja e të cilit nuk u zhyt nga përmbytja e Noes. Nuk do të ketë kurrë zhytje. Do të ndodhë e kundërta. Vitet duke ikur, si ujërat që zbresin, do të dëshmojnë magjinë e fjalës dhe të një perceptimi ndryshe, shumë përtej kohës sonë dhe krejt afër me kohën që do të vijë. Ndoshta, paraprirës i saj, një kasnec i çuditshëm, kurrë ëndërrthyer, me aftësinë për të parë tej larg kohës së tejdukshme, reformator i fjalës dhe dashuronjës i pashoq i meditimit.

Moikomi nuk ka një sozi në kulturën shqipe. Mund të ketë shumë të tillë, por kurrë vetëm një. I shpërndarë në shumë fusha, kudo vështirë i arritshëm, i përcjellë nga tradita magjike e fjalës dhe këndvështrimi enigmatik i njeriut fisnik, i saktë në të vërtetën e tij dhe i vërtetë në të saktën që ka përcjell, i pasionuar ndaj qytetërimit njerëzor dhe gërmues i së shkuarës – atë është e vështirë ta përcaktosh se çfarë bart në vete. Arkeolog, studiues i nënujërave, biograf, poet, meditues, historian, shkrimtar, përkthyes, gërmues i arkivave, i gjithëdijshëm, të gjitha së bashku në një njeri janë si shumë, por edhe kjo nuk është e mjaftueshme.

Ai është ndër njerëzit e paktë, specie në zhdukje, që bart mendimin e shumë shekujve, dhe këtë do ia përcjell edhe brezave të tjerë. I pangjashëm nga të tjerë, në një mjedis të vetmisë së pashpjegueshme, ai, edhe pa qenë në një luftë të ditur, është luftëtari që ekziston. Armik i varfërimit mendor të shtetit në vetvete – ai shpall kredon e tij, lirinë e të menduarit dhe dijen si mundësi ekzistence; shkencën si domosdoshmëri dhe poezinë si arti më i lartë i së mundshmes.

Moikomi e ka trajtuar atdheun më shumë se një akt besimi, përkushtimi dhe malli. Ai e ka ndjerë vendin e tij në çdo qosh, në të gjithë përbërësit e tij dhe në të gjitha këndvështrimet. I zakontë apo i pazakontë të ketë qenë një vend; e zakontë apo e pazakontë koha e tij, kjo nuk ka qenë e rëndësishme. Për të, si për krijuesit e kohës, ai, mbi të gjitha, fillimisht është ndjerë shpirtërisht i lidhur me vendin e tij, me ujërat, lumenjtë, lartësitë e maleve, me kreshtat, luginat dhe tokën; e ka ndjerë veten të shumëlindshëm njëkohësisht; shkodran, durrsak, tepelenas, sarandjot, drenicas, llapjan, dukagjinas, lab, pogradecar, mitrovicas. Shikimi i tillë do e bëjë atë një ndër studiuesit dhe publicistët më të angazhuar në luftën për çlirimin e Kosovës, duke botuar dhjetëra e dhjetëra shkrime në mbështetje të UÇK-së, duke polemizuar dhe argumentuar luftën si shansin e fundit për kombin, dhe, të gjithë këtë, pa kërkuar  asnjëherë shpërblimin sado modest.

Perandoria e Moikomit

Ka qenë jashtëzakonisht e mundimshme krijimi i një perandorie të tillë, që për më tepër është dykrerëshe.

Nga njëra anë ajo që ai vetë ka krijuar, siugeneris, e tija dhe vetëm e tija, asgjë e njëjtë me idhujt e tij si Migjeni, Mjeda, Reshpja, Poradeci, Noli, Borges, Kafka, Xhojs, Shekspir, Dante, Gëte, e përsëri e njëmendtë me krijimet e tyre.

E veçantë në perceptimin e botës, në stilin krijues, në të papriturën e vargut, në figuracionin rrëqethës, në shumëllojshmërinë e botimit, në rrokjen e hapësirës universale shqiptare, ndoshta që nga krijimi i botës dhe deri në shekujt që do të kenë shumë gjëra të përbashkëta me perandorinë e tij.

Nga ana tjetër është shumë dimensionaliteti i krijimit, ku janë të gjitha, që nga shkrimet e shenjta, agimet kumbuese dhe të arta të Babilonisë, bronxi i shpatave të Kretës dhe të Mikenës, thellësia e hierogliefeve të Egjiptit, enigma e shkronjave fonetike të fenikasve, komentarët e lashtë, tragjeditë e humbura të Eskilit, librat e panjohur të Tacidit, MarinBarletius dhe “De obsesione Scodrensis (Rrethimi i Shkodrës), vdekja e heretikut Savonarola në turrën e zjarrit, ku kishte shkuar me këmbët e tij; djegia e dorëshkrimeve të Kafkës, mungesa e krijimeve të fundme të Migjenit, mrekullia e profetit që shkroi LIBRI I JODIT, një pararendës shekspirian; më tej Niçe, Shopenhauer, Shiler, Dante, Magna Karta, MakabeZaharia, Solomoni, madhështia e Shën Sofisë në Konstandinopojën e krishterë, AnatolFrans, Balzak…bota e Hadit dhe Askundi…Uitmani si shfaqje e shenjtërisë poetike, Jezusi, predikuesi më i njohur i botës, i cili, vetëm një herë shkroi një varg në rërë dhe e fshiu, bota e Orientit si një enigmë e mistershme dhe ndjellëse deri në sublimen e panjohur… skicat e Da Vinçit dhe miti i Dedalit dhe Ikarit, si shkëndijime poetike, sfiksi i Tebës në përballimin e të panjohurës njerëzore, bora që bie  mbi një qytet të njohur, Washington D.C, që i kujton rrugët dimërore të Migjenit dhe De Radën në bardhësinë e moshës së tij…peizazhet në flakë të Salvator Dalit dhe Guernikën e Pikassos, Volterin e përkulur mbi Kandidin e tij, Makiavelin, DuFu-në, …

Është një botë e tërë, e studiuar, e eseizuar, e rikthyer në mit, e poetizuar, e ringjallur, e përlindur, e afruar bujarisht,  e bartur mbi shpinën e mendimit, e gdhendur dashurisht dhe e dyshuar njerëzisht.

Kjo perandori letrare, ngritur mundimshëm dhe përmes studimit të njëmendshëm, e dhënë bujarisht për të tjerët, pa asnjë gardh pengues apo mohues, është e në të njëjtën kohë e lëvizshme, por e qëndrueshme.

Duke qenë një shkrimtar i madh, ai është i prekshëm si njeri, çka nuk ndodh zakonisht. Perandoria që ka ngritur e ka zmbrapsur ndërlikimin e tij, sepse ka hapur portat.  Nëse ndonjëherë do të krijohet mbretëria shqiptare e letrave, Moikomi do të jetë pa dyshim princi më i njohur i bukurisë së shpirtit dhe i hulumtimit të papërsëritshëm, vezullues, lëvizës, përcjellës imazhesh dhe ëndrrash, i koncentruar dhe i heshtur, që, sa më shumë koha të kalojë, aq më modern do të bëhet. Ai luan me kohën në atë perandori që ka krijuar, jetues i dy shekujve që përgatit veprën e tij edhe për shekuj të tjerë. Ai ka arkitekturën e veçantë të kësaj perandorie që sa është e ngjashme me perandorinë kadareiane, aq është edhe e ndryshme. E ka ngritur këtë si një mbret dhe skllav i fjalës, por duke qenë i lirë. Ka robëruar kohën për të çliruar shpirtin. Filozof i prognozave të mëdha  dhe gërmues i metamorfozës së sistemit, ai ka bërë vend për studimin e religjioneve të mëdha, dhe perandoria e tij e ka pranuar këtë, sepse është e pamatë, e lirshme dhe e hapur.

Në vitin 2002, në Durrësin e tij, Moikomi ka shkruar mes të tjerave:

Pa e hapur derën

Ju mund t’ja hapni zemrën botës…

Ky njeri zemrën e ka hapur për të gjithë botën, pasi ishte ndër të paktët që preku ajrin, i uritur për Absoluten, u bë themel vënës i së Ardhmes.

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Paris Saint-Germain shkarkoi Mauricio Pochettino, sipas ESPN. Të dy palët…