Rama: Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën edhe pse e mbështet plotësisht Kievin

15 qershor 2022 | 20:51

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama solli në vëmendje mosnjohjen e Kosovës nga ana e autoriteteve ukrainase.

Kjo, edhe pse qeveria e Kosovës mbështet plotësisht Kiev-in zyrtar me sanksionimin e Rusisë.

“Por ka edhe një vend të gjashtë (referuar Ballkanit Perëndimor – AP), që Ukraina ende nuk e ka njohur, Kosova, e cila pavarësisht kësaj, po bën të njëjtën gjë me sanksionet dhe po jep mbështetjen e plotë për Kiev-in”, theksoi fillimisht kryeministri shqiptar.

“Çfarë do të thotë kjo?”, pyet Rama. “Që këtu jemi në një linjë të asaj çfarë ne përfaqësojmë. Sepse kjo është gjëja e duhur”, shtoi ai.

Kreu i qeverisë shqiptare i garantoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë aspak problem që statusi kandidat t’i jepet Ukrainës.

“Jemi këtu thjesht për t’i thënë jo vetëm mikut tonë të dashur Zelensky, por gjithkujt, se nuk kemi asnjë problem nëse BE i jep statusin kandidat Ukrainës”, nënvizoi kryeministri.

Sipas tij, askush nuk duhet të thotë se “ne do të bëhemi nervozë nëse Ukraina e merr statusin”.

Përkundrazi, u shpreh Rama, do të jemi të lumtur për BE-në, sepse do të bëjnë diçka për veten, jo për ne.

“Ballkani Perëndimor ka 5 vende në Kombet e Bashkuara. Të gjitha janë krah Ukrainës, pavarësisht kontekstit dhe raporteve me Rusinë, sepse është krejt ndryshe se si e shohim botën përkundrejt Rusisë, nëse marrin Shqipërinë dhe Serbinë fjala bie”, ravijëzoi në përmbyllje kryeministri shqiptar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, bashkë me ish…