Berisha: Shqiptarët në rrezik ekzistencial, ‘Ballkani i hapur’ asgjëson Kosovën

21 qershor 2022 | 16:46

Kryetari i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha është i bindur se shqiptarët janë në rrezik ekzistencial për shkak të projektit të “Ballkanit të hapur”. Në promovimin e librit “Kurrë mos harro” me bashkautorësi të Agim Aliçkajt dhe Nusret Pllanës, Berisha ka folur për atë që e ka quajtur qëllimin e vërtetë të kësaj nisme rajonale.

“‘Ballkani i hapur’ është asgjësimi i shtetit të Kosovës. A nuk erdhi Vuçiqi në Kosovë dhe deklaroi se Serbia do të bëhej më e madhe? Nga do të bëhej? Nga Kosova. ‘De fakto’ është një projekt anti-evropian. ‘De fakto’ është një projekt pro-rus. Është një projekt i vendosjes së hegjemonisë serbe në rajon”, ka thënë Berisha.

Berisha e ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se është kthyer në avokatin e presidentit serb në arenën ndërkombëtare.

“Tirana zyrtare sot është një Beograd i vogël. Në vend që Shqipëria të përdorë të gjithë forcën diplomatike të saj për ta dërguar në Hagë Vuçiqin, shndërrohet në avokat të tij në çdo takim, përfshirë samitin e NATO-s”, ka thënë Berisha, duke u bërë thirrje shqiptarëve të mos i nënshtrohen bashkëpunimit Tiranë-Beograd që sipas tij mohon luftën e Kosovës.

“Ne duhet të zgjidhim problemet tona se me klika në pushtet si Rama dhe vasalë të Beogradit, shqiptarët do ti kenë kohërat shumë të vështira. Jam optimist se edhe ky agresion i pashpallur serb ndaj shqiptarëve do të dështojë”, ka thënë ai.

Më herët kryedemokrati ka dënuar rrëzimin në votim të rezolutës për krimet serbe gjatë luftës në Kosovë nga Kuvendi i Shqipërisë. /tvklan/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
22.06.2022 Punime të domosdoshme për siguri të sistemit Prishtinë 1.…