QKSS-ja publikon raportin për ndikimin e dezinformimit dhe polarizimit politik gjatë pandemisë

22 qershor 2022 | 14:40

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar të mërkurën raportin hulumtues “Ndikimi i dezinformimit dhe polarizimit politik gjatë pandemisë Covid-19 në Kosovë”.

Sipas QKSS-së ky raport është një përpjekje për dokumentimin e rasteve të dezinformimit dhe polarizimit politik gjatë pandemisë Covid-19 në Kosovë, si dhe identifikimin e implikimeve të tyre në formësimin e qëndrimeve të publikut ndaj pandemisë dhe menaxhimit të pandemisë.

Qëllimi i raportit është të shërbejë si një paralajmërim për institucionet dhe publikun e Kosovës dhe si thirrje urgjente për shqyrtimin e përpjekjeve për komunikim strategjik teksa përgatitemi për krizat e ardhshme kombëtare.

Raporti konstaton se institucionet, mediet dhe publiku nuk ishin të përgatitur për t’iu kundërvënë propagandës dhe dezinformimit që hidhnin dyshime rreth ekzistencës së Covid-19, masave mbrojtëse kundër Covid-19 dhe vaksinimit.

Në këtë drejtim, përkundër përpjekjeve të tyre për të komunikuar çdo ditë me publikun, institucionet e Kosovës nuk arritën të krijojnë një sistem komunikimi për trajtimin e lajmeve të rreme dhe për menaxhimin e një përgjigjeje efektive kombëtare për frenimin e përhapjes së informacionit të rremë – si dezinformim ashtu edhe keqinformim rreth virusit dhe pasojave të tij.

Fokusi i këtij raporti nuk është përcaktimi i marrëdhënies së drejtpërdrejtë shkak -pasojë mes polarizimit politik dhe politizimit të masave kundër Covid-19 dhe shkallës së infektimit, shkallës së vaksinimit dhe shkallës së vdekjeve, por që përmes shembujve dhe metodave të ndryshme të tregojë se mungesa e një mesazhi konsistent dhe të unifikuar, dhe hedhja e akuzave dhe kundërakuzave për menaxhimin e pandemisë që e rënduan peizazhin politik të Kosovës në vitet 2020 dhe 2021, ishin faktorë kontribuues në rezultatet e përziera të Kosovës në menaxhimin e pandemisë.

Raporti gjithashtu thekson se përpjekjet e medieve që t’i ofrojnë publikut informacion të besueshëm rreth Covid-19, u sfiduan nga prania e lajmeve të rreme dhe konspiracioneve për virusin dhe pandeminë në rrjetet sociale dhe mediet e ndryshme online.

Prania e teorive konspirative, dezinformimit dhe lajmeve të rreme në rrjetet sociale në Kosovë, pati efekte të dëmshme tek perceptimi publik për pandeminë si kërcënim dhe pranimin e kufizimeve institucionale për parandalimin e pandemisë.

Raporti ka identifikuar dy kategori të individëve dhe grupeve që kanë promovuar informacione të rreme për pandeminë në Kosovë.

Grupi i parë përfshin ata që nuk e pranonin ekzistencën e virusit dhe përhapnin narracionin se pandemia ishte vepër e akterëve të fuqishëm, ndërsa në grupin e dytë përfshihen ata që besojnë në ekzistencën e virusit, por nuk e pranonin kërcënimin e virusit dhe përhapnin ide kundër vaksinimit ndaj Covid-19.

Raporti më tej konstaton se këto grupe janë gjithashtu të ndikuar nga narrativat e lëvizjeve globale, të cilat bazohen në paragjykime antisemite në përpjekjet e tyre për përhapje të lajmeve të rreme për ekzistencën dhe origjinën e virusit.

Brenda këtyre grupeve, raporti identifikoi narrativa të ndryshme të përdorura për shpërndarje të dezinformimit. Narrativa të tilla përfshijnë teorinë konspirative se pandemia Covid-19 ishte rezultat i garës me fuqive të mëdha për kontroll mbi ekonominë dhe informacionin botëror, duke e portretizuar Covid-19 edhe si një mjet të Perëndimit për shfarosjen e popullsinë e të ashtuquajturave vende të “Botës së Tretë” për të adresuar sfidat e veta të sigurisë.

Sipas kësaj logjike, në versionin kosovar të kësaj nën-narrative Kosova konsiderohet si vend i “botës së tretë” dhe për këtë arsye është cak i fushatës së shpopullimit.

Për më tepër, raporti konstaton se një prej narrativave dominuese ishte ideja se Covid-19 ekziston, por rreziku prej tij është i ngjashëm me viruset e tjera dhe nuk shkakton vdekje. Raporti më tutje konstaton se ata që bëjnë thirrje kundër vaksinimit janë më të shumtë në numër në krahasim me ata që nuk e pranojnë ekzistencën e virusit, prandaj një narrativë e shpeshtë që haset në Kosovë është kontestimi i procesit të licencimit të vaksinave që janë aktualisht në treg.

Gjetjet e këtij raporti theksojnë nevojën emergjente për një plan të centralizuar të komunikimit strategjik nga institucionet e Kosovës.

Rrjedhimisht, bazuar në përvojën e pandemisë Covid-19 dhe mësimet e nxjerra nga shqyrtimi i mjedisit informativ të Kosovës në të cilin u zhvillua menaxhimi i pandemisë, institucionet e Kosovës duhet të zhvillojnë një strategji të qartë dhe gjithëpërfshirëse komunikimi për çështjet që kanë të bëjnë me mirëqenien e publikut, duke përfshirë kriza shëndetësore, emergjencat natyrore dhe kërcënimet e sigurisë kombëtare që siguron ndarje konkrete dhe të qarta të roleve dhe veprimeve në të gjitha nivelet e qeverisjes.

Për më tepër, një strategji e tillë duhet të parasheh edhe prodhimin dhe shpërndarjen e kundër-narrativave për luftimin e dezinformimit dhe keqinformimit rreth çështjeve të shëndetit publik dhe emergjencave të tjera kritike.

Institucionet e Kosovës duhet gjithashtu të bëjnë analiza sistematike dhe ta demaskojnë dezinformimin rreth çështjeve të shëndetit publik, efektin e tyre në shoqëri dhe format në të cilat ato shpërndahen, në mënyrë që përgjigja ndaj tyre të jetë efektive dhe konkrete.

Në këtë drejtim, komunikimi i institucioneve duhet të jetë në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe avancimin e platformave të ndryshme të komunikimit, në mënyrë që shtrirja e informatave të verifikuara dhe zyrtare të përkojë me përdorimin e platformave të ndryshme online që shfrytëzohen nga qytetarët e Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia dhe Turqia e kanë arritur një marrëveshje që i…