Bajrami: Në tregun e lirë nuk mund t’u caktohet tregtarëve marzha e fitimit

30 qershor 2022 | 12:31

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, në seancën e Kuvendit, ka thënë se s’mund të bëhet ligj me të cilin tregtarëve u caktohet marzha e fitimit.

Bajrami ka thënë se me Kushtetutën e Kosovës, vendi është ekonomi e tregut të lirë, dhe si e tillë është e pamundur të caktohet marzha e fitimit.

“Ne si Kosovë nuk e prodhojmë mjaftueshëm asnjë produkt bazë. Si ekonomi e tregut të lirë me Kushtetutën që e kemi me kapacitete e munguara që i kemi ne mundemi me lëvizë me politika tatimore. Ne mundemi me ulë taksa, me heqë akcizën për me ju dalë në ndihmë qytetarëve, por harrojeni se mund të bëni ligj me ua caktuar tregtarëve marzhën e fitimit, në ekonominë e tregut të lirë. Neni 10 i Kushtetutës e thotë ku oferta dhe kërkesa e cakton çmimin. Konkurrenca i bën çmimet, e ju Autoritetin e Konkurrencës nuk e keni funksionalizuar deri më tash”, ka thënë ajo.

Më tutje, Bajrami ka thënë se nëse u caktohet ligj tregtarëve të sheqerit ose të miellit, ata s’importojnë dhe rrjedhimisht vendi mbetet pa këto produkte.

“Po ju bëjë me dije që Kushtetuta e Republikës së Kosovës s’ka ndryshuar, neni 10 është në fuqi, ne jemi ekonomi e tregut të lirë. Thatë me hartuar një ligj për me e caktuar marzhën e fitimit për produktet bazë. Kosova nuk prodhon sheqer, caktojani marzhën importuesve të sheqerit. Çfarë bëjnë tregtarët? Nuk importojnë sheqer dhe në Kosovë s’ka sheqer! A është masë kjo? Ndërkohë masa që kemi propozuar ne është në video zoti kryeministër që ka qenë në opozitë dhe konkurronte për t’u bërë kryeministër dhe thoshte që qumështi me qeverinë e LV-së do të kushtojë më lirë sepse do ta bëjë TVSh-në zero. Nëse importuesit e miellit vendosin që me marzhën që e caktoni ju nuk kanë fitim. Kush mund t’i detyrojë ata me importuar?”, ka thënë Bajrami.

Ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se marzha e fitimit mund t’i caktohet KEK-ut.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në 24 orët e…