Kryetari i FFK-së, Agim Ademi uron gazetarët e sportit për ditën e tyre

02 korrik 2022 | 11:02

2 korriku shënon ditën botërore të gazetarëve sportiv, dhe me këtë rast, Agim Ademi, Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, ka uruar gazetarët në një postim llogarinë e vet në “Facebook”.

Urime i plotë i Ademit:

Sot gazetarët sportivë kudo në botë shënojnë Ditën Botërore të Gazetarisë Sportive. Në këtë ditë të veçantë, dua të uroj të gjithë gazetarët sportivë në vendin tonë, drejtuesit dhe anëtarët e SHGSK-së, e po ashtu edhe doajenët e gazetarisë sportive tashmë në pension, të cilët ndër dekada kontribuuan në zhvillimin dhe pasqyrimin e sportit të Kosovës dhe jo vetëm.

Si president i FFK-së në vazhdimësi jam përpjekur të jem i hapur, i afërt dhe mbështetës i gazetarëve sportivë, ndonëse në raste të caktura disa ndoshta pa fajin e tyre, nuk iu kanë përmbajtur misionit i cili u takon – pasqyrimit të vërtetës.

Sidoqoftë, unë dhe FFK-ja si institucion, do të vazhdojmë të ruajmë dhe të zhvillojmë raportet e bashkëpunimit me mediat në përgjithësi dhe do të përkujdesemi që gazetarëve sportivë t’u krijojmë kushte sa më të mira në stadiume dhe në ngjarje sportive.

Inkurajoj gazetarët sportivë që të vazhdojnë pasqyrimin real të të arriturave në sport, por edhe shpërfaqjen e problemeve apo ngecjeve, ngase vetëm në këtë mënyrë i shërbejnë informimit të drejtë të opinionit, por edhe ndihmojnë në përmirësimin e mëtejmë të sportit.

Sporti ka qenë segment i rëndësishëm i rezistencës dhe shtetndërtimit, derisa pas shpalljes së pavarësisë është treguar si ambasadori më i mirë i vendit, duke i pasqyruar vlerat e shoqërisë sonë. E në këtë aspekt rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe gazetarët sportivë.

Edhe një herë urime, shëndet e suksese për të gjithë Ju të nderuar gazetarë sportivë!

Me respekt,

A.A.

#BashkëPërFutbollin

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forcat e armatosura ukrainase pretendojnë se 120 trupa të tjerë…