Qeveria pritet të shpallë konkurs për hartimin e Master Planit për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

02 korrik 2022 | 18:13

Këtë të shtune, nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e pestë e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka njoftuar se në mbledhjen e mbajtur, që ka zgjatur rreth tre orë, janë prezantuar dhe diskutuar rezultatet e hulumtimit shumë-sektorial për konceptin, vizionin dhe bazat e Master Planit për këtë kompleks, përgatitur nga komisioni i ekspertëve të formuar në fillim të këtij viti.

Ky hulumtim thuhet se paraqet hapin e parë drejt fazës së ardhshme e që është shpallja e konkursit për hartimin e Master Planit për këtë Kompleks.

“Gjatë vitit të kaluar kemi ndërmarrë hapa për t’u siguruar që të konsolidohet gjendja fizike e ndërtesave në Kompleks dhe përmes vlerësimeve profesionale dhe ndërhyrjeve emergjente të realizuara, gjendja e sigurisë së ndërtesave të rrezikuara brenda kompleksit është përmirësuar”, është shprehur Kurti.

Sipas tij historia e Familjes Jashari duhet të rrëfehet ashtu siç e meriton, me dinjitet dhe me krenari.

“Ky rrëfim duhet të bëhet i ditur për të gjithë, për të rinjtë edhe të rejat, për ata që do vijnë pas nesh dhe për çdo të huaj që e viziton vendin tonë. Duhet të tejkalojmë edhe barrierat kohore, dhe kujtimin për veprën heroike të Familjes Jashari ta shndërrojmë në përjetësi, sepse është një ngjarje unike me efekte të cilat do të shtrihet edhe kur ne nuk do të jemi më”.

I pari i ekzekutivit më tej ka shtuar se Kompleksi Memorial “Adem Jashari” është një nga proceset më delikate të Republikës së Kosovës, dhe “për atë jemi siguruar të punojmë me një ndjeshmëri dhe përgjegjësi të lartë, me qasje profesionale e multi-diciplinare, nga historia, monumentaliteti, peizazhi kulturor e natyror, deri te vlerësimi profesional teknik dhe kujtesa kolektive”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Është mbajtur seanca e fundit plenare në kuadër të aktivitetit…