Ermal Krasniqi merr përgjegjësinë e eliminimit të Ballkanit nga Liga e Kampionëve

13 korrik 2022 | 13:50

Ermal Krasniqi është padyshim njëri nga lojtarët më të mirë në skuadrën kampione të Kosovës në futboll, Ballkani. Ai nëpërmjet një postimi të gjatë në profilin e vet në “Facebook” mori përgjegjësinë e eliminimit të skuadrës së tij nga Liga e Kampionëve. Siç dihet Ballkani luajti 1-1 në ndeshjen e parë kundër Zargilist, kurse ndeshjen kthyese e humbi me rezultat 1-0.

“Zhgënjimi nga mossuksesi nga rrethi i parë kualifikues i Ligës së Kampionëve kundër ekipit Zhalgiris është shumë i madh, si nga ekipi në tërësi, ashtu edhe në aspektin personal. Unë në veçanti, duke i ditur pritshmëritë tuaja që keni pasur ndaj ekipit e ndaj meje, duke u bazuar në një sezon që posa mbaruam me sukses duke u shpallur kampion për herë të parë në histori të klubit, ndjej përgjegjësi të konsiderueshme për këtë eliminim duke i marrë për bazë rastet që më janë shfaqur gjatë ndeshjes e që për fat të keq nuk arrita t’i konkretizoj, pavarësisht që askush nuk do të donte më shumë se unë”, ka shkruar Krasniqi.

“Udhëtimi ynë vazhdon në Evropë dhe ju premtoj që sukseset për ne nuk mbarojnë këtu, do të vazhdojmë më të uritur e më të motivuar që të përfundojmë këtë kampanje evropiane me sukses historik ne fund”, ka shtuar Krasniqi.

/Veton ZYMBERI/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Masat dhe veprimet policore në zbatim të planit operativ “Sezoni…