Kurti seancën e sotme e quan të suksesshme

14 korrik 2022 | 17:11

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me votimin e sotëm në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, po ecin drejt mundësimit të konfiskimit civil (pa dënim) të pasurisë që nuk justifikohet dot.

Ai ka falënderuar deputetët e Kuvendit për këtë votim, që sipas tij, me të cilin iniciuan themelimin e një mekanizmi të rëndësishëm me diskrecion për të hetuar pasurinë e të gjithë personave zyrtarë.

“Me rekomandimet e vlefshme të Komisionit të Venecias, ky projektligj do të standardizohet plotësisht në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe, po ashtu, do ta rrisë efikasitetin e luftimit të korrupsionit, siç ka qenë zotimi ynë e për të cilin jemi maksimalisht të përkushtuar”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai gjithashtu ka thënë se në seancën e sotme është miratuar Projekt-kodi i Procedurës Penale.

“Projekt-kodi është hartuar në përputhje me praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare i cili përveç përmirësimit të procedurave penale, do t’i kontribuojë tutje ndjekjes dhe ndëshkimit të rasteve korruptive. Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve në procedurë, në veçanti të drejtave të palëve të dëmtuara apo viktimave”.

“Ndërkaq Projektligji për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë, i miratuar sot, parasheh reformimin e pakos së ligjeve anti-korrupsion dhe avancimin e këtij segmenti të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë, përmes së cilit do të mundësohet krijimi i një klime ku parandalohet dhe luftohet korrupsioni dhe pasurimi i paligjshëm nga këto kategori”, ka deklaruar Kurti.

Ai këtë seancë të Kuvendit e ka quajtur të suksesshme.

“Me fjalë të tjera, ishte një seancë e suksesshme në të cilën më së paku kishte rëndësi sa kujt i dukesha i rrezitur unë. Ndërkohë, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë është një çështje tjetër, dhe konsultimet me partitë opozitare për të sigurisht që duhet të vazhdojnë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka…