Kongresi amerikan miraton rezolutë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, del me kërkesa ndaj Serbisë

15 korrik 2022 | 12:54

Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan ka miratuar një Rezolutë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi.

Kjo rezolutë ishte dërguar aty më 29 korrik të vitit të kaluar. Në të është kërkuar që përgjegjësit për vrasjen Yll, Agron e Mehmet Bytyqit të dalin para drejtësisë.

Gjithashtu është dënuar fakti që ende asnjë individ nuk është shpallur fajtor ndonjëherë për vrasjen e tyre, apo edhe për ndonjë krim tjetër që lidhet me vdekjen e tyre.

“Qeveria e Serbisë dhe ministritë dhe zyrat e saj përkatëse, duke përfshirë edhe Prokurorinë Serbe për Krimet e Luftës, duhet ta bëjnë prioritet hetimin dhe ndjekjen penale sa më shpejt të jetë e mundur ndaj atyre zyrtarëve aktualë ose ish-zyrtarëve që besohet se janë përgjegjës për vdekjen e tyre, drejtpërdrejt ose në mënyrë indirekte”, është thënë në pikën 3 të rezolutës.

“ShBA-ja duhet të ofrojë burime të mjaftueshme për të ndihmuar dhe për të monitoruar përpjekjet e Qeverisë së Serbisë dhe ministrive për të hetuar dhe ndjekur penalisht sa më shpejtë të jetë e mundur ata persona që besohet se janë të përfshirë në vdekjen e tyre, drejtpërdrejt apo tërthorazi”, është thënë në pikën 4 të rezolutës.

Ndërsa në pikën e fundit thuhet se progresi dhe mungesa në zgjidhjen e këtij rasti, duhet të mbetet faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të raporteve ndërmjet ShBA-së dhe Serbisë.

Rezoluta ka marrë 423 vota për dhe një kundër.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo është emri kryesor i kësaj merkatoje, me portugezin…