Tahiri: Kosova në kolaps ekonomik, qeveria inekzistente!

15 korrik 2022 | 22:01

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës që u mbajt sot, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka ngritur çështjen e një debati parlamentar për liberalizim të vizave, për shkak, që sipas tij, Qeverisë i mungon vizioni dhe përkushtimi për ta adresuar agjendën evropiane.

“Gjithashtu, trajtuam çështjen e ngritjes enorme të çmimeve, krizën ekonomike e situatën me energjinë elektrike”, ka thënë ai.

Para mediave, Tahiri ka theksuar se Grupi Parlamentar i AAK-së ka kërkuar një debat në Kuvend, që ka të bëjë me diskriminimin dhe padrejtësinë e madhe që u bëhet qytetarëve të Kosovës, atë të liberalizimit të vizave.

“Për këtë, do të prezantojmë një rezolutë, që paraprakisht do ta dërgojmë te grupet parlamentare, në mënyrë që Kuvendi ta adresojë këtë çështje në instancën më të lartë. Po ashtu, trajtuam çështjen e ngritjes së çmimeve. Ekonomia e Kosovës është para kolapsit, çmimet janë ngritur në nivelin më të lartë të mundshëm, ndërsa veprimi i Qeverisë është inekzistent në këtë çështje. Me rezolutën që do të propozohet në Kuvend, do të kërkohet nga Qeveria që të ketë një tavan të çmimeve, për shkak se situata me varfërinë është rënduar shumë”.

“Kërkesa jonë ka qenë e kahmotshme që të vendosen veprime nga Qeveria. Kjo ka mundur të ndodhë shumë më herët: të largohet apo zvogëlohet akciza, nuk ka ndodhur; të ulet TVSh-ja. Një kohë, TVSh-ja ka qenë 8% dhe kriza nuk ka qenë e kësaj përmase. Çmimet nuk kanë qenë të kësaj përmase, inflacioni është më i larti dhe asnjë veprim nga Qeveria deri më tani. Po ashtu, AAK-ja ka ngritur shqetësimet për çështjen e energjisë elektrike. Kemi adresuar letra për takime në të gjitha institucionet që merren me energjinë elektrike, për shkak se shohim një krizë potenciale që po i vjen Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku e ka quajtur…