Tahiri: Kosova po udhëhiqet nga një qeveri që nuk merr vendime dhe vetëm e thellon krizën!

16 korrik 2022 | 13:53

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, në konferencën për media, ka theksuar se Kosova po udhëhiqet nga një qeveri që nuk ka guxim të merr vendime, me këtë qasje muajt në vazhdim kriza do të thellohet.

“AAK-ja është e preokupuar me mosveprimet e Qeverisë së Kosovës për të adresuar problemet me të cilat ballafaqohet Kosova dhe qytetarët e saj. Kemi kërkuar një interpelancë për ministrin e Financave, Heukran Murati, për Ligjin e Pagave për sektorin publik. Në mungesë të këtij ligji, i cili zvarritet, tash e një vit e gjysmë, 80 mijë zyrtarë publikë janë peng i një qeverie, e cila nuk merr asnjë veprim”, ka deklaruar Tahiri.

Ai ka thënë se interpelanca e dytë ka të bëjë me administratën shtetërore, pra me zyrtarët publikë.

“Sa i përket Ligjit për Zyrtarët Publikë, sipas aktvendimit të publikuar në korrik të vitit 2020, është dashur që ky ligj të amandamentohet. Pra, në mungesë të amandamentimit të këtij ligji, që është detyrim kushtetues, shumë organizata buxhetore kanë filluar të bëjnë rregulloret e tyre të brendshme kundërligjshëm”, është shprehur Tahiri.

Në raport me pagën minimale, ai ka treguar se kanë adresuar amendamentin, ku kanë kërkuar që paga minimale të jetë 350 euro neto.

“Interpelanca e tretë, ka të bëjë me problemin e energjisë elektrike. U kemi dërguar letra të gjitha institucioneve relevante që trajtojnë çështjen e energjisë elektrike: KEK-ut, ZRrE-së, KEDS-it, KESCO-së, KOST-it për një takim që të informohemi dhe si kuvend t’i marrim përgjegjësitë tona. Sipas informacioneve që kemi si subjekt politik, energjia elektrike do të jetë problemi kryesor në muajt në vijim”.

“Preokupimi kryesor për AAK-në është kolapsi ekonomik në vend, me një Qeveri e cila vazhdon të jetë një kor i recitaleve me kryerecitalistin, Albin Kurti, i cili duhet të ndal recitalet dhe të merr vendime dhe veprime”, ka thënë Tahiri

Ai ka shtuar se kanë kërkuar heqjen e akcizës së naftës për një periudhë të caktuar, dhe uljen e tatimit në produkte bazike.

“Shqetësim mbetet rreziku i dështimit të projekteve të investimeve publike për shkak të rritjes së përgjithshme të kostos. AAK propozon subvencionimin e këtyre kontratave në mënyrë që projektet kapitale mos të dështojnë”.

“Kosova nuk po zbrazet për shkak të luftës, as për shkak të persekutimit politik, por për shkak të mos veprimeve të Qeverisë inekzistente, e cila vazhdon recitalet e rimat për të treguar sa të zotë janë në aspektin akademik, por sa të dobët janë në vendimmarrje dhe sa të pazotë janë me i dalë ballë problemeve që i ka Kosova”, ka deklaruar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka ftuar ish-prokuroren e EULEX-it,…