Deputetja Deliu, Bislimit: A ju ka marrë gjumi? Jemi bërë merak!

18 korrik 2022 | 14:20

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është duke raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane.

Me këtë rast, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka ironizuar me deklaratën e fundit të kryeministrit Albin Kurti për Bislimin.

Ajo e ka pyetur Bislimin lidhur me gjumin.

“A ke flejt zëvendëskryeministër? A ke flejt? A ju ka marrë gjumi? Se jemi bërë merak”, i ka thënë ajo, Bislimit.

“Mirë, ju?”, ishte përgjigjja e Bislimit.

Bislimi kishte deklaruar në dhjetor të vitit 2020, dy muaj para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 kur LV-ja ka fituar 50.28 për qind të votave, se kishte probleme me gjumin si pasojë e rritjes së madhe të partisë.

Kur ato fjalë të Bislimit sikur ishin harruar, kryeministri Albin Kurti e ka kthyer të dielën në vëmendje “problemin” e zëvendësit të tij me gjumin.

“Ju e dini që Zyra e Rregullatorit për Energji i ka pasur dy javë që ta bëjë licencimin. E ka bërë për dy ditë, mirëpo nga ana tjetër, nuk e kemi regjistrin e konsumatorëve në veri dhe ky është preokupimi ynë kryesor dhe kjo është çështja numër 1 me të cilën zgjohet në mëngjes dhe bie të fle në mbrëmje zëvendësi im – nëse fle – Besnik Bislimi, sepse sot nuk ka gjë më të rëndësishme për të, do të thosha edhe për shtetin tonë sesa të zbatohet ai udhërrëfyes dhe përfundimisht të kemi shërbimin e furnizimit edhe në veri, pagesën e energjisë së konsumuar, dhe në këtë mënyrë, stabilitetin energjetik në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Galeria e parë ndërkombëtare për art bashkëkohor në Prishtinë, LambdaLambdaLambda…