Ukraina zmbraps sulmet ruse nga një termocentral në jug

22 korrik 2022 | 16:49

Forcat ukrainase kanë zmbrapsur me sukses sulmet e vazhdueshme ruse në termocentralin Vulehirska, ndërsa Moska po vazhdon bombardimet e qyteteve Kramatorsk dhe Siversk, tha inteligjenca ushtarake britanike më 22 korrik.

Kievi tha se për herë të parë ka “potencial thelbësor” që forcat e saj të avancojnë në fushëbetejë.

Vulehirska, që gjendet rreth 50 kilometra në verilindje të Donjeckut, është termocentrali i dytë më i madh i Ukrainës dhe një objektiv strategjik i infrastrukturës që forcat ruse synojnë ta marrin.

Në buletinin ditor, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë citoi guvernatorin e rajonit ukrainas të Mikolajivit, Vitaly Kim, duke thënë se forcat ruse kanë përdorur shtatë raketa për të sulmuar infrastrukturën, objektet e energjisë dhe depot në këtë zonë.

Inteligjenca britanike theksoi se Rusia ka rritur përdorimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për të sulmuar caqe në terren, gjë që, sipas inteligjencës britanike, dëshmon për mungesë kritike të raketave për sulme tokësore.

Britania tha se Rusia, me shumë gjasë, ka vendosur sistemet strategjike të mbrojtjes ajrore të llojeve S-300 dhe S-400, për t’i rrëzuar avionët dhe raketat në distanca të largëta. Këto sisteme, sipas inteligjencës britanike, janë vendosur pranë kufijve të Ukrainës që prej nisjes së pushtimit.

Ushtria ukrainase tha më 22 korrik se përpjekjet kryesore të ushtrisë ruse në rajonin lindor të Donjeckut janë përqendruar në Kramatorsk dhe Bahmut.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë adresimit në natën e 21 korrikut, tha se është takuar me komandën ushtarake ukrainase. Ai tha se është krijuar një “potencial thelbësor në avancimin e forcave tona[ukrainase] në front dhe për t’u shkaktuar humbje të reja pushtuesve. Ai theksoi nevojën që Kievi t’i shtojë sulmet kundër forcave ruse.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina u ka kërkuar kreditorëve të saj që të ngrijnë…