Bajrush Behrami u përket emrave që jetojnë edhe pas vdekjes

02 korrik 2018 | 13:32

Bajrush Behrami i ka pasur të gjitha virtytet që i ka një patriot, mençurinë, gatishmërinë për sakrificë, por edhe përkushtimin që deri në fund ta ndjekë idealin e lirisë së Kosovës.

Kështu u tha në një mbledhje komemorative, kushtuar njërit prej organizatorëve kryesorë të demonstratave të vitit 1981, Bajrush Behramit, i cili ndërroi jetë dje në moshën 61-vjeçare.

Në emër të bashkëveprimtarëve, Hamit Hamiti, ka thënë se për një burrë si Bajrushi do të kishte nevojë Kosova dhe institucionet e saja, e veçanërisht institucioni ku punonte, Qendra e Studentëve.

Ai ka thënë se një jetë të tërë Bajrushi ia kushtoi për ta bërë lirinë.

Ndërkaq kryetari i shoqatës së veteranëve të UÇK-së, dega në Besianë, Fahri Balaj, ka thënë se të qenit UÇK, Bajrushi e bëri haptazi në Prishtinë, në zyrën e informimit të UÇK-së, në të cilën veproi bashkë me Adem Demaçin.

Telegram ngushëllimi për vdekjen e Bajrushit ka dërguar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kurse zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka theksuar se emri i Bajrush Behramit jetësohet me lirinë tonë dhe me idenë e shtetit të pavarur të Kosovës, meqë ai çdoherë në zemër dhe mendje e ka pasur Kosovën e lirë dhe Kosovën e pavarur.

Vajza e Bajrushit, Dalmana Behrami, ka thënë se disa njerëz lindin për të mos vdekur kurrë, i tillë ishte edhe babai i saj.

“Më kanë thënë që disa gjëra që i do, duhet t’i lësh të shkosh. Unë të dua ty shumë, prandaj po të lë të shkosh. Pusho i qetë babë. Ti je gjithmonë brenda meje sepse mua dhe dhembjen vetëm një litar i hollë dhe i fort na ndan në këtë jetë”, ka thënë ajo.

Varrimi i të ndjerit bëhet sot në orën 17:00 në varrezat e qytetit në Besianë.

Bajrush Behrami ndërroi jetë dje në moshën 61-vjeçare, pas një sëmundje të shkurtër, raporton “ksp”.

Ai ishte edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryetar i Partisë Unitetit Kombëtar ‘UNIKOMBI’.

Behrami i lindur në vitin 1956 në Dobratin të Besianës, kohëve të fundit ka punuar në Qendrën Studentore.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit,…