GRATË E KRISHTIT

27 korrik 2022 | 10:16

Ben Blushi

Dom Altini, famullitar i Mamurrasit më çoi te disa murgesha. Motrat janë krejtësisht të izoluara, tha Dom Altini. Janë murgeshat e Fjalës së Mishëruar. Dalin nga kisha vetëm në raste të veçanta.

Murgeshat po na prisnin. Kishin nxjerrë biskota, qershi dhe ujë të ftohtë.

Si jeni, i pyeta.

Shumë mirë, thanë motrat.

Nuk dilni fare nga ky kafaz?

Dalim vetëm për arsye mjekësore, për dokumente si dhe për të pastruar oborrin e Kishës

Po pse nuk duhet të keni kontakt me njerëz të tjerë?

Sepse Zoti na ka thirrur ti shërbejmë atij dhe askujt tjetër.

Pra ju i jeni dedikuar Zotit duke sakrifikuar familjen dhe jetën normale?

Ne jemi sakrifikuar për të mirën e njerëzimit, për të cilin falemi gjithë kohën.

A nuk ka një kontradiktë këtu, i pyeta.

Cila është kontradikta, thanë motrat.

Po ja, nëse Zoti ka krijuar gruan për të lindur dhe për të ripërtërirë rracën njerëzore, në rastin tuaj Zoti ka vendosur që disa gra të mos bëjnë fëmijë, a nuk është kjo një kontradiktë mes dy parimeve të Zotit ripërtëritjes dhe celibashisë absolute?

Aspak, thanë motrat, gruaja nuk ka lindur vetëm për të bërë fëmijë sepse nuk është një makinë. Zoti ka një plan për secilin prej nesh, dikë e cakton të lindë, dikë e cakton të falet, dikë të shërbejë, dikë të punojë.

Pra ju jetoni vetëm për tu falur?

Ne jetojmë në varfëri, në pastrim dhe në lutje.

Po pse jeni të varfra?

Sepse ne nuk na lejohet të posedojmë asgjë përfshi edhe rrobat e trupit, ne përdorim gjëra por nuk i pronësojmë.

A jeni të lumtura?

Jemi shumë të lumtura sepse nuk mendojmë si të kemi prona, si të gjejmë një punë, si të sigurojmë para, ne mendojmë vetëm për Zotin.

Ka shumë murgesha të tjera që jetojnë normalisht, dalin, dëgjojnë muzikë, njihen me njerëz, pse ju jetoni të mbyllura totalisht?

Rasti jonë quhet clausura constituzonale, dmth mbyllje e plotë. Ne komunikojmë me botën përmes këtij gardhi

Si ushqeheni?

Besimtarët na sjellin për të ngrënë çfarë na duhet.

Keni para?

Nëse na japin para i përdorim për të blerë ushqime, ilaçe dhe sende të nevojshme

A flisni me familjet tuaja?

Flasim përmes telefonit.

Pra keni celular?

Sigurisht edhe internet.

Sa motra jeni këtu?

Jemi dhjetë motra.

Nga jeni?

Katër nga Argjentina, një nga Brazili, dy nga Peruja, një nga Spanja, një amerikane dhe një shqiptare.

Kush është më e vogla?

Amerikania.

Si quhesh, e pyeta.

Moira.

Nga je?

Nga Minessota.

Pse u bëre murgeshë?

Më thirri Zoti.

Çfarë të tha Zoti?

E ndjeva që më kërkonte.

Kur e ndjeve?

Herën e parë më thirri kur isha 7 vjeç por unë refuzova.

Po herën e dytë?

Kur mbusha 18 dhe pranova.

Sa fëmijë jeni?

Tre vajza dhe pesë djem.

Familjë shumë e madhe, thashë unë.

Prindërit e mi lindën tre vajza, nga të cilat unë jam më e vogla.

Po djemtë?

Djemtë i adaptuan nga një familje në Lituani.

Adaptuan pesë djem njëherësh?

Po, tha Moira, ata kishin një familje të shkatërruar dhe prindërit e mi i birësuan dhe i morën në Amerikë.

Po tani djemtë jetojnë akoma me prindërit e tu?

Ata jetojnë secili më vete por plagët e vjetra si kanë shëruar dot, disa marrin drogë, alkool por sa herë kanë nevojë kthehen tek prindërit e mi.

Po ti si quhesh?

Unë jam Maria de Humiltad.

Ky është emri i kishës, po emrin e lindjes si e ke?

Unë e kisha emrin Sara, por tani jam Maria sepse Sara ka vdekur ditën që unë u pranova në urdhër

Nga je?

Nga Argjentina.

Të mungon Argjentina?

Ne nuk kemi vend, as atdhe, ne jemi gratë e Krishtit, megjithatë unë isha në Argjentinë kur më vdiq mamaja.

Pse të vdiq?

Kancer, por lavdi Zotit nuk vuajti shumë.

A ka motra që pendohen dhe dalin jashtë, dmth e lenë manastirin dhe kthehen në jetën e përditshme?

Ka ndodhur, në disa raste.

Dhe ato martohen, pra bien në dashuri me burra dhe krijojnë familje?

Murgeshat dalin nga urdhri për arsye të ndryshme por shumë rrallë për dashurinë e një burri sepse ne jemi të dashuruara me Krishtin që është burri me i bukur, më besnik dhe më i madh nga të gjithë burrat. Ne jemi martuar me Jesunë.

Përderisa jeni martuar edhe mund të divorcoheni, thashë unë.

Nuk ka arsye sepse Krishti nuk tradhton ai është kudo dhe kurdo, thanë motrat.

Shpresoj të jetë kështu, thashë unë.

Po ti çfarë bën, më pyetën motrat.

Unë kam bërë disa gjëra, bëj libra, tani bëj fotografi, jam marrë me politikë shumë vite por e lashë dhe jam shumë i lumtur.

A e ke gjetur Zotin?

Ende nuk e kam gjetur por do vazhdoj të eci.

Do ta gjesh patjetër dhe ne do lutemi që ti ta gjesh.

Do vi prapë dhe do ju sjell biskota, thashë unë.

Mirëse të vish, thanë motrat.

Edhe diçka, thashë unë.

Çfarë, thanë motrat.

Kur dilni jashtë Kishës për të bërë pastrimin e oborrit?

E bëjmë me turne një herë në dy tre ditë.

Atëherë do të vij dhe unë t’ju ndihmoj të pastroni oborrin.

Do vish vërtet?

Sigurisht, sepse kur të jeni jashtë e kam më të lehtë t’ju fotografoj në dritën e diellit.

Dmth do vish për fotografi jo për pastrim?

Epo duhet t’i tregoj botës me çfarë grash është martuar Jesu Krishti, thashë unë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ndërmarrja “Prishtina Parking” e cila merret me menaxhimin e parkingjeve…