Punëtorët e ‘Kosova Thëngjillit’ kërkojnë të rikthehen në punë

27 korrik 2022 | 11:41

Punëtorët e “Kosova Thëngjillit” kanë protestuar të mërkurën para Qeverisë së Kosovës me kërkesë, rikthimin në punë.

Kryetari i aksionareve i kompanisë “Kosova Thëngjilli”, Imer Restelica, ka thënë se vazhdimisht kanë pasur probleme me KEK-un, pasi siç ka bërë me dije ai janë lënë pa punë mbi 160 punëtorë dhe familje.

Ai ka kërkuar zgjidhjen e këtij problemi në mënyrë që punëtorët ta vazhdojnë punën e tyre.

“Kompania e KEK-ut ka bërë një padrejtësi ndaj neve. Jemi mbi 160 punëtorë dhe familje që nga viti 2003 jemi duke u larguar prej KEK-ut. Qëllimi i kësaj proteste është që të zgjidhet problemi. Pika e parë ka qenë kthimi në KEK dhe e dyta është vazhdimi i punës për punëtorët e ‘Kosova Thëngjillit’, të cilët padrejtësisht janë larguar prej KEK-ut. Ne kemi pasur vështirësi edhe më herët me këto kontrata, mirëpo vazhdimisht neve na shpallet kjo padrejtësi dhe jemi të dënuar në këtë aspekt, prandaj kemi ardhur për ta zgjedhur këtë problem”, ka thënë ai.

Ndërsa Selime Bytyqi, punëtore e kësaj kompanie ka thënë se kërkojnë një përgjigje nga institucionet.

“Para një muaji kemi ardhur këtu dhe kemi protestua. Kemi hyrë brenda katër veta dhe na kanë premtuar një përgjigje, mirëpo nuk ka përgjigje fare. Kemi ardhur prapë me protestuar sot, mirëpo po thonë që nuk është askush brenda. Kështu kemi mbet pa punë, na kanë ndërprerë thëngjillin. Punëtorët kemi mbet rrugëve”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, punëtori tjetër i “Kosova Thëngjillit”, Enver Sadiku, ka thënë se për shkak të këtij problemi janë të gatshëm ta dëmtojnë edhe vetën.

“Mos na detyroni të shkojmë në objektet tona dhe me marrë mjete për me dëmtuar vetveten. Jemi në gjendje me dëmtuar edhe vetveten për shkak të familjes”, ka thënë Sadiku.

Më tutje, drejtori i “Kosova Thëngjillit”, Sylejman Hajdini, ka thënë se qeveria nuk ka asnjë arsye për t’i lënë pa punë këta punëtorë.

“20 për qind të rrogës ua kam jep punëtorëve vetëm me ia kryer obligimet KEK-ut. Pikë arsye nuk ka me na lenë kështu rrugëve. E kemi harxhuar sasinë e thëngjillit dhe tash po na ndalin. Kur e kam nënshkruar kontratën kam pas borxh dhe i kam treguar drejtorit të KEK-ut kur e kam nënshkruar kontratën që s’kam mundësi t’i paguajë dhe më ka thënë ‘nënshkruaje për hir të punëtorëve’”, ka thënë Hajdini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rritja e ekonomisë botërore po ngadalësohet dhe perspektivat për një…