NJË VEPËR KAPITALE PËR NOR(Ç)ËN…

27 korrik 2022 | 12:18

Bilall Maliqi, shkrimtar

Fshati Nor(ç)ë është  lokalitet i vjetër dhe njëri nga fshatrat më të mëdha në komunën e Preshevës. Brenda saj i ka zhvillimet historike nëpër kohë dhe situata të ndryshme, të cilat janë evidente dhe janë përcjellë brez pas brezi nëpër faqet e ndritshme të historisë, në të gjitha aspektet e jetës, që nga themelimi i fshatit deri në ditët e sotme, për të cilën kanë shkruar autorë të ndryshëm, të cilët janë munduar që të paraqesin të dhëna sa më të sakta për këtë lokalitet shumë të vjetër të Preshevës.

Për të hyrë sa më thellë në brendinë historiko-gjeografike të fshatit dhe për ta pasqyruar edhe më saktë dhe me të dhëna e me tekste më të zgjeruara për Nor(ç)ën, filloi të punojë me ngulmë punëtori i palodhur shkencor, Mr. Reshat Neziri, po nga fshati Norçë, i cili i hyri këtij projekti që don së pari guxim, punë të palodhshme dhe kuptohet ka edhe përgjegjësi, sepse për të bërë një Monografi e çfarëdo lloji qoftë, e sidomos Monografi për ndonjë fshat, kërkohet punë ekipore për ta konkretizuar më lehtë dhe më mirë punën rreth sigurimit të materialeve në të gjitha segmentet, e ky, Reshati, i ka hyrë i vetëm këtij projekti gjigant, duke e ditur mirë rëndësinë e fjalës Monografi dhe përgjegjësisë që e merr, sepse përpos të dhënave të siguruara nga literatura (edhe pse ka shumë pak të shkruar për Norçën), i ka shfrytëzuar ato që ka mundur t’i siguroj, ai është munduar edhe të marrë shënime nga dora e parë nga ata pleq që ende janë gjallë dhe dinë shumëçka me rëndësi, e që nuk gjenden askund nëpër libra të autorëve dhe studiuesve, qoftë vendorë, qoftë edhe të huaj, pra ka shfrytëzuar të dhëna nga dora e parë, e që e forcojnë bindshëm monografinë, sepse, për Norçën është shkruar, dhe ka pasur çka të shkruhet si në aspektin historik dhe në aspekte të tjera që ndërlidhen me ecejaket e këtij fshati nëpër kohë dhe situata të ndryshme.

Kapitujt që gjenden brenda kopertinave të librit janë të radhitura, ashtu siç e kërkon një monografi, por kjo monografi dallon nga monografitë tjera, sepse, brenda tekstit ka diçka sepcifike, që te monografitë tjera nuk i hasim, apo janë të pakta, se, autori të gjitha toponimet e fshatit (që janë të gjitha në gjuhën shqipe) i ka matur largësinë në mes veti dhe naltësinë mbidetare të tyre, gjë që lexuesi që në fillim të ndonjë vizite këtij fshati  i din mirë toponimet edhe largësitë në mes tyre, të ilustruara me fotografi kolor, gjë që e konkretizojnë bukur si në aspektin teorik dhe në ate praktik.

Është me rëndësi të veçantë se korrespondimi i tekstit me të gjitha figurat dhe fotografitë e prezantuara është fare i natyrshëm dhe është një segment me rëndësi për kuptimin dhe analizën e tekstit monografiko shkencor.

Autori i librit ka ecur nëpër kapituj të shumtë, në të cilët ka shprishur gjithë atë material të thukët që nga poezita gjeografike e Norçës, zhvillimet hisotrike nëpër kohë, toponimet, arsimi, shëndetësia, kultura, sporti, aspekti fetar, gjenealogjia e tërë fshatit, lojërat me doket dhe zakonet e fshatit , të cilat i ka mbarështruar bukur, duke paraqitur një gamë të gjerë të lëndës, duke u munduar kështu t’i përthekojë të gjitha të dhënat për fshatin në secilin aspekt të jetës dhe besoj që ia ka arritur që ta përmbush skenarin e tij të paraparë se çfarë i duhet dhe çfarë kërkon ta bëj, dhe e ka bërë me sukses.

Mr. Reshat Neziri është një tip studiuesi i kujdesshëm, sepse e ka ditur mirëfilli se për të bërë një monografi të tillë, e jo dosido monografi nuk është edhe e lehtë, sepse duhet të paraqiten të dhëna në sakta, të verifikuara, të cilat pastaj paraqesin një vlerë të begatshme librit, sepse ajo ngelet si e tillë në analet e historisë.

Sfida tjetër e autorit ka qenë sigurimi i gjenealogjisë për fshatin, të cilën e ka siguruar, falë këmbëngulësisë së tij, sepse fshati i lindjes së autorit nuk është i vogël dhe është i shpërndarë edhe në qytete të tjera, besa edhe në Turqi, prandaj, autori ka arritur t’i sigurojë këto dhe t’i paraqes në mënyrë tabelare të gjitha të dhënat, të cilat japin shijen artistike dhe estetike librit.

Ky libër i karakterit monografiko-shkencor, i pari i këtij lloji, gjithëpërfshirës, është një vepër kapitale i autorit për Norçën dhe për norçalinjtë, sepse brendia saj është më shumë se një histori, më shumë se një shkencë dhe më shumë se një letërnjoftim panoramik për Norçën e cila përthekohet me peizazhe dhe me toponime interesante, të gjitha në shqip, të cilat tregojnë qartë autoktoninë shekullore të shqiptarëve të këtij nën qielli.

Autori i kësaj monografie, Mr. Reshat Neziri ka bërë një punë sa të madhe aq edhe lavdëruese, sepse ka konkretizuar pounën e tij dy vjeçare rreth tubimit të materialeve për ta nisur librin dhe për t’ia dhënë një përfundim të bukur me një vlerë të lartë artistike, dhe kujtoj se kjo monografi është ndër monografitë më të realizuar bukur artistikisht që kam lexuar kohët e fundit.

Monografia është e shoqëruar me një numër të konsiderueshëm të fotografive, të vendosura në vendet adekuate, për ta lidhur fuqishëm tekstin me ilustrimet e paraqitura. Po ashtu disa toponimeve ia ka bashkangjitur nga një poezi, për t’i ilustruar edhe më bukur këto toponime.

Lexuesit kur ta lexojnë këtë monografi, do të bëhen pjesë e ngjarjeve historike, pjesë e bukurive përrallore të këtij fshati, pra do të mishërohen me të dhe do ta vizitojnë e do të binden se autori vërtetë e ka dhënë maksimumin e tij për ta realizuar e botuar një libër me vlerë, siç është ky libër, prandaj, i mbetet edhe të tjerëve që merren me studimin e monografive, pse jo edhe lexuesve të tjerë të japin mendimet e tyre për këtë libër të vlefshëm për Nor(ç)ën dhe për norçalinjtë kudo që ata ndodhen…

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se…