Deputetët e pushtetit nuk e përkrahin Projektligjin për rregullimin e çmimit të barnave

29 korrik 2022 | 13:27

Deputetët e shumicës në Kuvendin e Kosovës nuk e kanë mbështetur Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në favor të këtij projektligji kanë votuar 19 deputetë, 42 kundër dhe dy deputetë kanë abstenuar.

Fillimisht, deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu, si propozuese e këtij projektligji ka kërkuar nga deputetët që të përkrahin këtë nismë meqë sipas tyre do të ndalonte abuzimet në këtë sektor.

“Ky projektligj është për t’i ndalur abuzimet dhe keqpërdorimet në sektorin e farmacisë, dhe tregtinë me barnat, më vjen shumë keq kur vërejtjet për këtë projektligj vijnë prej punonjësve të kompanive farmaceutike dhe kjo e sqaron më mirë pse Vetëvendosje është kundër këtij projektligji. Por mbrojtja më e mirë është sulmi çdo herë. Ja përkujtoj që asnjë lloj lidhje me oligarkët nuk e kam, Arben Vitinë e keni punësuar tek oligarkët, ju e keni shitë heroin e pandemisë, ju jeni të shitur të oligarkët. Në kohën kur njerëzit po vdesin për barna ju po e dëshmoni që nuk jeni për t’i ndihmuar njerëzit, ju jeni të lidhur me kompanitë farmaceutike edhe kjo ju shtyn të pengoni shqyrtimin e këtij projektligji dhe miratimin e këtij projektligji”, ka thënë Zejnullahu.

Sipas PDK-së, sfera e rregullimit të barnave dhe pajisjeve medicinale është prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës për të ndalur abuzime me blerjen e barnave me çmime shumë më shtrenjtë se çmimet e tregut.

Deputetët e PDK-së kanë theksuar se qytetarët e Kosovë blejnë barna më shtrenjtë se të gjithë qytetarët e rajonit, andaj një rregullim i çmimeve me ligj është i nevojshëm sa më parë.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se qeveria ka punuar për hartimin e projektligjin që rregullon çmimet e barnave dhe të njëjtin do ta sjell në Kuvend gjatë sesionit vjeshtor.

“Ju keni me pas shansin të na ndihmoni më shumë me këto për shkak se Ministria e Shëndetësisë sipas programit legjislativ qeveritar për vitin 2022 i ka këto dy, edhe ligjin tjetër që kemi për të diskutuar pak më vonë, në fazën e fundit, në realitet projektligji për barnat ka mbaruar, është i kryer, është jashtëzakonisht i mirë dhe ju keni me pas shansin të shtoni diçka, me heq diçka, por sigurisht do ta keni shansin ta bëjmë ligjin më të mirë. Po pajtohem me të gjithë juve që ne duhet të kemi ligj, sepse vetëm Bjellorusia dhe ne nuk kemi ligje për këtë, këtë do ta bëjmë dhe do ta realizojmë në seancën vjeshtore të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Latifi.

Në anën tjetër për projektligjin e propozuar nga PDK është shprehur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ku sipas ish-ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj kjo çështje duhet të marrë epilog sa më shpejtë në mënyrë që sipas tij të mbrohen qytetarët.

Miratim në parim të projektligjit të propozuar nga PDK-ja e ka kërkuar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë që shumica duhet të përkrah këtë nismë në të kundërtën sipas tij rrezikohet që Kuvendi të ketë bllokadë.

Më tutje, deputeti i Vetëvendosjes, Besim Muzaqi është deklaruar kundër këtij projektligji, i cili ka akuzuar opozitën për gjendjen në të cilën gjendet shëndetësia.

“Pse nuk e rregulluat për dy dekada çështjen e çmimit të barnave, pajisjeve dhe produkteve medicinale. Pranojeni që nuk e kishit qëllim, as tash nuk e keni qëllim rregullimin çmimeve të barnave për qytetarët dhe në interes të qytetarëve por keni qëllim përshtatjen e tyre për interesa të kompanive dhe zinxhirëve ku ju keni hise. Nëse vërtetë doni të reflektoni e t’i shërbeni vendit me diçka produktive atëherë propozoni diçka që ne nuk e kemi në agjendë, kështu bëheni edhe kreativ edhe konstruktiv”, ka thënë, Besim Muzaqi.

E për këtë ka reaguar deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu. “E tha kolegu pse nuk e keni bërë më herët për 20 vjet. Po ia kujtojë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ua kemi sjellë lirinë. Me Hashim Thaçin e kemi shpallë pavarësinë, Me Ramushin e Kadriun e kemi bërë ushtrinë dhe nuk kemi mundur bre t’ua kryejmë të gjitha. Më besoni, ju kemi lënë diçka edhe juve, këto ligje të paktën bëni ju”, ka thënë Haxhiu.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Familja e Michael Schumacherit raportohet se e ka një plan…